Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar 42 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Duke ju referuar atyre, Krasniqi ka thënë se tre ranë, me mijëra u ngritën – pjesa tjetër është histori.
“Lavdi e mirënjohje e përjetshme për kolosët dhe veprimtarët e paepur të çështjes kombëtare që frymëzuan brezin e lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, të cilët, 42 vite më parë, u ekzekutuan nga dora e shërbimit sekret jugosllav në Untergrupenbach të Gjermanisë”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 42 vite më parë në Shtutgart të Gjermanisë. As pas mbi katër dekada, vrasja e tre veprimtarëve shqiptarë nuk është zbardhur.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kishte ndodhur në Gjermani, teksa nga autoritet shtetërore gjermane ishte lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre persona dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit po luftonin mes tyre./rtk