Policët patrullues pritet që së shpejti të kenë një pajisje më shumë gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Një kontingjent i armëve të gjata arriti të premten në vend, e që ministri i Punëve të Brendshme u bëri të ditur se janë të dedikuara për Policinë e Kosovës.
E ky po shihet si një lajm pozitiv edhe nga njohësit e fushës së sigurisë.
Koloneli në pension, Rrahman Sylejmani thotë se mungesa e një lloj armatimi të tillë modern, u ka shkaktuar vështirësi zyrtarëve policorë në terren.
Ish-shefi i hetimeve në këtë institucion të sigurisë, tregon se bashkë me armatimin, vijnë edhe trajnimet për përdorimin e tyre nga policët patrullues.
E ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra thotë se pajisja me armë të gjata për policët, do të ndikojë direkt në uljen e kriminalitetit në gjithë vendin.
Teksa shton se në sy të qytetarëve, pamja e zyrtarëve policorë me armë të gjatë do t’u ofrojë atyre siguri më të madhe.
Gjatë vitit të kaluar kishte pasur disa raste kur policët patrullues ishin përballur me disa grabitës me të cilët edhe kishin shkëmbyer gjuajtje me armë zjarri.
Tëvë1 kishte kërkuar informacione nga Policia e Kosovës se pse nuk janë të pajisur me një lloj armatimi të tillë zyrtarët policorë, e ku ishte thënë se kjo bëhet në bazë të planifikimeve të ndryshme që ata i bëjnë të rrezikshmërisë.