Deputetja e Listës “Guxo”, Jeta Statovci e ka quajtur hipokrizi dërgimin e Ligjit për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Statovci tutje tha se LDK e kishte votuar vetë një iniciativë të tillë në vitin 2020, kurse tani me “PDK-në, të marrë udhë tek Gjykata Kushtetuese, të cilën, po e konsiderojnë si zyrë ankesash për defetizmin e shterpësinë e ideve që i ka kapluar”.
“Në bazë të Global SWF, janë 175 Fonde Sovrane në mbarë botën, përfshirë këtu vende sikurse Slovenia, Greqia, Irlanda, Norvegjia etj. Por, ky fakt, s’po e ndalon dot LDK-në që dorë për dore me PDK-në, të marrë udhë tek Gjykata Kushtetuese, të cilën, po e konsiderojnë si zyrë ankesash për defetizmin e shterpësinë e ideve që i ka kapluar”.
Ajo shtoi se “Fondi Sovran e ruan pronësinë e aseteve strategjike të vendit për t’i kthyer në një të mirë publike, duke përmirësuar gjendjen e operimit te brendshëm dhe duke u hapur ndaj kapitalit të ri”.
“Ka shumë raste të vendeve të zhvilluara që kanë përdorur pikërisht fonde të ngjashme”, ka shtuar Statovci.
Ajo thotë se në të kaluarën asetet publike janë keqmenaxhuar, duke përmendur rastin e Telekomit.
“Ne vitin 2011, kishte 51.5 milion fitim, kurse në vitin 2016 shënoi humbje 51.1 milion euro. Për vetëm 5 vite, diferencë për 102.6 milionë euro, ky është talent i veçantë shkatërrues. Kurse tani, Telekomi raporton fitim neto 5.9 milion euro (janar-nëntor 2023). Këto plaçka historike financiare, në vend se të çohen në Prokurori, po çohen reformat zhvillimore në Kushtetuese. Për më tepër, Fondi Sovran ndërlidhet me sektorin privat përmes dy shtigjeve të rëndësishme: (1) hap rrugë që kapitali privat të futet në ndërmarrjet e Fondit dhe (2) u jep mundësi kompanive private të përfitojnë nga kapitali i Fondit. E gjitha kjo, i bie që bën keqpërdorimi, hipokrizia, pengimi i zhvillimit të vendit kur kjo lidhet me luftë politike etj. Ka humbur Kosova me këtë mendësi”, ka shkruar ajo.