Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me konkurset publike, e në këtë rast as për punësimet në KEK.
“E para që dua ta shpjegoj edhe para qytetarëve, është se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me konkurset publike, në këtë rrafsh me konkursin që bëhet fjalë për punësimet në KEK, kemi thënë dhe vazhdojmë të themi se konkurset nuk i kontrollon Lëvizja Vetëvendosje, përkundrazi si në të kaluarën edhe tani, ne u qëndrojmë besnik qëndrimeve tona që nuk bën askush të fitojë vende pune me përkatësi, apo duke u falënderuar përkatësisë partiake”, tha ai.
Dugolli deklaroi se anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pësuar shumë nga ky lloj diskriminimi dhe prandaj ata kanë insistuar që njerëzit të aplikojnë, mirëpo shtoi se nuk janë të përfshirë në këtë konkurs e as në konkurset tjera që janë mbajtur më herët.
“Askush më shumë se anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kanë pësuar këtë lloj diskriminimi që u është bërë me vite të tëra, prandaj ne jemi fokusuar që të inkurajojmë njerëzit të aplikojnë dhe meritokracia dhe barazia janë motoja jonë, dhe në asnjë mënyrë nuk jemi të përfshirë në këtë konkurs, e as në konkurset tjera. Nuk do këtu shumë mend se mund të jetë ndonjë anëtar apo simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa Halil Thaçi është vetëm deputet i Republikës së Kosovës dhe këtë funksion ka, është lakuar emri i tij dhe i një deputeti tjetër, kinse kanë punësuar të afërm, këtu mediat dhe njerëzit që po e zhurmojnë dhe po i japin flakë kësaj pune, është mirë që të ndërgjegjësohen dhe të mos njollosin njerëz kot së koti, për shkak se edhe deputeti Bajqinovci mbrëmë u tha se paska punësuar një vëlla, ndërsa vëllau i tij është në Kanada, dhe me punë të përheshme atje, prandaj këto tendencat me njollosje të njerëzve dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, besoj që janë të qëllimshme nga dikush që për agjenda të ndryshme politike synojnë që të fshehin apo të lënë nën hije sukseset dhe rezultatet e Qeverisë Kurti”, u shpreh Dugolli tutje.
Dugolli tutje foli edhe për helmimin që ndodhi sot në orët e vona të mbrëmjes në Gjilan, ku u helmuan 5 nga ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës si pasojë e ushqimit të servuar.
Ai theksoi se njerëzit përgjegjës për implementimin e kontratës, dhe për mbikëqyrjen e kësaj kontrate, kanë marrë masat e duhura duke i dërguar ato në IKSHPK. Sipas tij, nëse vërtetohet se bazë i këtij lloj helmimi është ushqimi i servuar, kontraktuesi duhet të japë llogari për atë çfarë ka ndodhur. Ndërkaq për të qenë më të sigurt nesër do të ketë një pasqyrë më të qartë në lidhje me këtë çështje.
“Fatkeqësisht një gjë e tillë, sipas raportimeve por edhe kontakteve që kisha me Ministrinë e Mbrojtjes, është evidente një lloj helmimi, që me siguri bazën e ka në ushqim, për të cilën institucionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, domethënë njerëzit përgjegjës për implementimin e kontratës, edhe për mbikqyrjen e kësaj kontrate, kanë marrë masat e duhura dhe i kanë dërguar në IKSHPK, dhe sipas njoftimeve janë alarmuar të gjitha instancat dhe besoj që nesër do ta kemi një pasqyrë më të qartë se çfarë ka ndodhur, mirëpo vlen të theksohet se kontraktuesi, nëse kjo gjë veç vërtetohet që sipas të gjitha gjasave bazë i këtij lloj helmimi është ushqimi i servuar, dhe nuk do mend që edhe kontraktuesi duhet të përgjigjet dhe të japë llogari për atë çfarë ka ndodhur, për shkak se shëndeti i ushtarëve është në radhë të parë dhe nuk guxojmë që në asnjë mënyrë të bëhemi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh ai.