Ballkonet e objektit shumëkatësh në rrugën “Alpet Shqiptare” në kryeqytet rrezikojnë të shemben. Nga kjo po rrezikohen më së shumti fëmijët që për çdo ditë e frekuentojnë kopshtin i cili ndodhet në katin përdhesë të kësaj ndërtese. Ndërkaq, bëhet e ditur se ky objekt nuk ka fare pranim teknik.
Nga larg i duken çarjet.
E rrezikun për së afërmi e ndjejnë vet banorët e ndërtesës në rrugën ‘’Alpet Shqiptare’’ në Prishtinë.
Kjo pasi gati në të gjitha ballkonet e këtij objekti ekziston rreziku për rënie të fasadës.
Megjithatë, kjo strehë e vendosur mbi kopsht zbut sado pak frikën e prindërve që sjellin fëmijët e tyre çdo ditë.
“Fillimisht e kam marrë pak si me panik, tani kur kam marr informata më shumë e kam pa që është rrezik mirëpo jo edhe aq i madh. Tash jam shumë e lumtur që ka me u marrë meniherë vendimi për me u rregullu çështja. Normal që çdo herë po vij me frikë, mirëpo edhe kopshti ka marrë masa kështu që të shohim”, u shpreh banorja Burbuqe Jemini.
Përveç Burbuqe Jeminit, shpresa për intervenim komunal kanë banorë të tjerë të kësaj pjese të kryeqytetit.
“T’rrezikum jemi se ballkonat janë ça qysh po shihet n’pamje, tash po presim prej komunës me intervenu naksen”, u shpreh banori tjetër, Arbenit Gashi.
Në fund-nëntorin e këtij viti, kjo hapësirë u vizitua nga akterë komunalë.
“Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë bërë verifikimin dhe konstatimin, ai konstatim flet se është rrezikuar siguria e banorëve. Ne këtë konstatim ia kemi përcjellë Drejtorisë për Inspekcion e cila është përgjegjëse që në bashkëpunim me kompaninë dhe me banorët ta evitojnë këtë rrezik”, deklaroi Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishitnë.
Ndërsa përmes një shkrese të siguruar nga tëvë1, Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje vet banorëve të investojnë në mirëmbajtjen e kësaj ndërtese.
“Bazuar në Ligjin për Ndërtesat në Bashkëpronësi, me numër 04/L – 134 të datës 29.07.2013, njofton pronarët e apartamenteve të objektit kolektiv të banimit se janë të obliguar që të mirëmbajnë dhe investojnë në hapësirat e përbashkëta të objektit kolektiv të banimit ose nëse kanë marrëveshje – kontratë me investitorin të ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e rrezikut, përndryshe përgjegjësia do të bie mbi banorët e objektit”, thuhet në shkresën e Komunës së Prishitnës.
Mirëpo ky objekt nuk ka as pranim teknik.
Prandaj sipas arkitektëve, e gjithë përgjegjësia bie mbi vet investitorin.
“Deri në momentin që bëhet pranimi teknik, e gjithë përgjegjësia është mbi investitorin. Kur jemi tek përgjegjësia e objektit, ne kemi rastin në Turqi që ndodhi tërmeti dhe kishte objekte që ishin mbi 30 vite dhe prap investitori ka përgjegjësi. Ashtu është edhe në Kosovë; pastaj përgjegjësitë ndahen tek inxhinerat përgjegjës, arkitektët dhe gjithë fazistët tjerë, por derisa nuk ka pranim teknik, përgjegjësia është mbi investitorin 100 përqind”, tha arkitekti, Drilon Mustafa.
Tëvë1 ka tentuar të kontaktojë me investitorin, mirëpo deri në publikim të kronikës nuk ka marrë ende përgjigje.
Ky objekt banimi shumëkatësh është ndërtuar para vitit 2010.