Në Klinikën e Dermatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tash e disa vite mungojnë Patch Testet, funksioni i të cilëve është identifikimi i alergjenit të veçantë që shkakton reaksione alergjike.
Nga kjo Klinikë thonë se brenda këtij viti, mbi 300 pacientë kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë test. Ndërsa, nga SHSKUK-ja theksojnë se ky lloj testi nuk bën pjesë në Listën Esenciale dhe se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për furnizim. Ndërkaq, në klinika private, bërja e një testi të tillë kushton nga 30 deri në 50 euro.
Dermatologia në Klinikën e Dermatologjisë, Fatime Kokollari tregon se seti i një Patch Testi, është i përbërë prej rreth 30 alergjenëve, i cili bëhet me qëllim të diferencimit të dermatitit në kontaktin irritativ prej atij të kontaktit alergjik.
Kokollari tha se disa nga veprimtaritë që më së shumti japin reagim të lëkurës janë, ndërtimtaria, hoteleria, shëndetësia dhe parukeria.
Ekspertja e lëkurës, Fatime Kokollari theksoi se ka mbi 4 vite prej kur ky lloj testi nuk bëhet në Klinikën e Dermatologjisë, derisa shtoi se gjatë këtij viti mbi 300 pacientëve u është rekomanduar t’i nënshtrohen Patch Testit.
Kokollari theksoi se nëse vërtetohet me Patch Test që dermatiti është i kontaktit alergjik, duhet ndërruar vendi i punës i personit sepse nuk pritet që sëmundja të rregullohet.
“Nëse vërtetohet me Patch Test që dermatiti është i kontaktit alergjik duhet ndërruar vendi i punës i personit sepse nuk pritet që sëmundja të rregullohet, automatikisht i bie të ndërrohet vendi i punës. Në shtete të ndryshme, e kanë të rregulluar me ligj që para se të pranohet në një vend punës të bëhet Patch Testi në mënyrë që pas një viti mos t’i bie që punëdhënësi me largu punëtorin nga puna…05:00 Jo nuk bëhet në Dermatologji, ka vite që nuk bëhet…Më shumë se katër vite…Është i nevojshëm, gjithçka që shkenca e ka vërtetuar është i nevojshëm…Neve i kemi nxjerr disa statistika vjeçare diku mbi 300 raste për këtë vit, që kanë pasur nevojë për një diferencim në mes të dermatitit të kontaktit irritativ nga ai alergjik”, theksoi Kokollari.
Ndërkaq, përmes emailit Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) thonë se produkti në fjalë nuk bën pjesë në Listën Esenciale, derisa theksojnë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga Klinika e Dermatologjisë për furnizim.
Por, nga menaxhmenti i kësaj klinike thonë se tash e disa vite kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për sigurimin e këtyre testeve.
Një vajzë e cila ka dashur të mbetet anonim, ka treguar për KP se për shkak të problemeve me lëkurë, është detyruar që ta bëj Patch Testin, në një klinikë private, derisa shtoi se çmimi që pagoi ishte rreth 50 euro. Ajo tha se për të si studente, kjo shifër nuk ka qenë edhe aq e vogël.
“Po, para një muaji kam pasur problem me lëkurën, më është acaruar edhe më dalshin do sikur puçrra të vogla nëpër trup, kam shkuar në Dermatologji në QKUK, mjekja më ka thënë duhet ta bësh një test për alergji, Patch Test, apo se di si i thoshin, nuk ka pasur aty me bërë veç më është dashur në privat të shkojë, ka kushtuar diku gati 50 euro, për mua si studente ishte pak shifër e madhe por më është dashur ta bëjë”, tha ajo.
KP ka kontaktuar me disa klinika private për të pyetur se sa kushton bërja e një testi të tillë, dhe të njëjtat janë përgjigjur se çmimi varion nga 30 deri në 50 euro.
Sot, testet Patch ose testet epikutane janë një metodë e standardizuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe kërkojnë ekspertizë specifike në leximin e rezultateve.