Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Christos Marmarinos ka lëshuar deklarata tronditëse për kohën e tij në Kosovë. Ka rrëfyer telashet e shumta me të cilat ishte ballafaquar. Tekniku grek ka treguar për ‘blerjen’ e një basketbollisti në Rahovec nga babai i tij. Ai mbillte patate në fermën e familjes. FBK-ja e kishte paguar 100 euro në muaj babanë e ‘talentit’ që s’kishte prekur kurrë top të basketbollit më parë.
Christos Marmarinos, i ka thënë të gjitha për gjendjen e mjerueshme të kombëtares kosovare të basketbollit. Nga niveli i profesionalizmit, te niveli i trajnimit deri te ndodhitë qesharake.
Marmarinos që momentalisht punon si skaut te skuadra e NBA-së, Sacramento Kings, ka dhënë një intervistë për “Basketball Immigrants” të EEC WebRadio duke rrëfyer periudhën e tij sa ishte në Kosovë.
Për teknikun grek udhëtimi në Kosovë ishte si udhëtim me një makinë kohe që të kthen prapa në vitet e 70-të.
“Kushtet ishin… vend i botës së tretë, kishte vrima në palestra. Ishin dy palestra bashkë, ku njëra ishte djegur tërësisht, ishte “kufomë” dhe ishte bërë parking dhe aty pranë ishte arena ku luanim. Ishte tepër ftohtë, brenda palestrës ishte shumë e vështirë, u përpoqën të sillnin disa ngrohës për ta ngrohur, por pa rezultat. Lojtarët nuk i dinin as bazat e stërvitjes, trajnerët vinin një herë dhe iknin pjesën tjetër të kohës, asistentët nuk dinin të bënin video, as analizë statistikore, madje as elementet bazë”, rrëfen Marmarinos.
I vetmi ‘Michael’ që njihnin në Kosovë, sipas trajnerit grek, ishte artisti Michael Jackson e jo Michael Jordan, legjenda e basketbollit.
“Po flasim për gjëra që kanë ndodhur në Greqi që në vitet 70. Në fakt, ishte një lojtar që një kolegu im i tha për Michael Jordan dhe ai u përgjigj: “I vetmi Michael që njoh është Michael Jackson”. Ata njihnin vetëm skuadrat dhe lojtarët që ekzistonin në vend. Vetëm me 3-4 emra, të cilët kishin luajtur jashtë, mund të komunikoja disi dhe përmes tyre mund të arrinim kontakt me të tjerët”, tha Marmarinos.
Ish-trajneri i Kosovës ka treguar për mos-profesionalizmin nga i gjithë stafi i kombëtares. Është shprehur i tronditur me atë çfarë ka gjetur këtu. Ka thënë se nuk ia ka arritur të ndryshojë asgjë për shkak të mentalitetit të njerëzve të basketbollit në Kosovë.
“E mendova dhe e peshova me kujdes. Në thelb, nëse shkon të punosh në një vend të tillë, duhet të kesh pak mendësi misionare. Shkon në një vend shumë të prapambetur për nga sporti, nuk ka infrastrukture aq të mirë, edhe mendimi dhe kultura që kanë për basketbollin është shumë e prapambetur dhe thua që do shkosh në një vend të tillë me kusht që të ndihmosh zhvillimin e sportit dhe t’u japësh njerëzve një shans atje nëse shohin diçka ndryshe. Nëse e shikon thjesht profesionalisht, nuk mendoj se ia vlen. Kisha një pjesë… romance që më bëri të hyja në këtë proces.”
“Ai vend ka mbetur prapa, nuk e kam menduar se mund të jetë kaq prapa. Nuk mendoja se mund të kishte kaq shumë të armatosur, nuk mendoja se mund të ndiheshin aq rehat me incidentet e dhunshme që do të na tronditnin. Stereotipet që “shkatërrova” ishin se si e shihnin grekun, u përpoqa shumë me zyrën e ndërlidhëse ta forcoja sa më shumë dialogun mes dy vendeve në planin diplomatik dhe politik. Hapja që bëra ishte për të treguar se si është basketbolli ynë, mënyrën tonë të të menduarit dhe për t’ua përcjellë atyre, që këtu të futet një “farë” për të ardhmen. E dija, megjithatë, se çdo përpjekje që bëja do të gjeja një mur. Shumë njerëz më thoshin: “Si është e mundur që nuk mund ta mundim Lituaninë, një shtet me popullsi sa e jona?”, shtoi ish-asistenti i skuadrës së Olympiacosit.
Marmarinos ka deklaruar se kur Kosova mori fitoren e parë jashtë vendit atë kohë duke mposhtur Luksemburgun, skuadra e tij kishte qëndruar e dehur për tri ditë.
Pas entuziazmit të tepruar, tregon Marmarinos, kishin pasuar edhe humbjet.
“Ata janë adhurues të fitores, si i gjithë Ballkani. Është e paimagjinueshme. Ne shënuam fitoren e parë jashtë fushe në historinë e tyre, kundër Luksemburgut, dhe mendoj se edhe tifozët e Olimpiakos nuk ishin aq të lumtur kur fituan Euroligën. Ata ishin tre ditë… të dehur. Ata morën një ditë pushim nga ekipet e tyre, ishte festë kombëtare që mundën Luksemburgun. Pas saj, mund të kishim humbur nga Danimarka dhe katastrofa po vinte. E gjithë situata ishte vërtet shumë e çuditshme. Ishte shumë më mirë për ta të mundnin Gjibraltarin sesa të barazonin me Islandën, për shembull”, tha Marmarinos.
Pjesa më tragjike për ish-përzgjedhësin e Kosovës ishte kur FBK-ja kishte transferuar një lojtar që nuk kishte luajtur kurrë basketboll. Djali punonte në fermën e patateve të familjes.
Sipas tij, FBK-ja kishte paguar babanë e tij me 100 euro në muaj në mënyrë që ta lironte djalin e tij për të luajtur basketboll.
“Ne e ‘blemë’ një lojtar nga babai i tij, i cili ishte 2.15 metra dhe nuk kishte prekur kurrë top në jetën e vet. Herën e parë që hyri në palestër, ia dhamë topin, i thamë ta fuste në kosh dhe kaq.. dhe ai e nguliste topin sepse nuk dinte sesi ta fuste ndryshe. Pra, shkuam te babai i tij për t’i thënë atij ta lejojë djalin të vijë në stërvitje dhe ai u përgjigj: “Jo, kush do të më ndihmojë t’i nxjerr patatet? Djali im është i vetmi punëtor që kam”.
“Kështu e pyetëm sa duheshin paguar për një punëtor dhe në fund Federata ia jepte 100 euro në muaj që të merrte një punëtor dhe ta linte djalin të stërvitej. Pas 2 vitesh, djali i tij vendosi që i pëlqen fusha e patateve më shumë se basketbolli dhe u largua”, përfundoi Marmarinos.