Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë një propozim për çështjen e faljes së tatimit në pronë, para seancës së Kuvendit Komunal, ku në rend ditë është edhe kjo pikë.
Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se “çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet”.
“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro. Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se një propozim i tillë do të ndihmojë qytetarët e Prishtinës dhe nuk do të dëmtojë buxhetin e kryeqytetit, duke u bërë thirrje të gjithë asambleistëve që ta votojnë.
“Ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të Kryeqytetit. Njëherësh, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asamblist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR”, ka shkruar Rama.
Gjykata Kushtetuese ditë më parë ka dhënë mendim se falja e tatimit në pronë u takon komunave.