Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, Ministria e Financave i ka njoftuar Komunat e Kosovës për përmbajtjen e Aktgjykimit si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 €.
Si rrjedhojë, komunat e Republikës së Kosovës janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro.
Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë Vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro, ndërsa ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për vitin 2023 shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.
Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë në dispozicionin e komunave për sqarime shtesë lidhur me këtë çështje, thuhet në njoftim.