Shkolla fillore e mesme e ulët “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës, tash e dy muaj ka mungesë të mësuesit për klasën e katërt, për shkak se mësimdhënësi paraprak është pensionuar. E për ta zëvendësuar atë po angazhohet një mësuese, e nga një herë edhe drejtoresha.
Nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur të shqetësuar për mënyrën se si po e vijojnë mësimin. Drejtoresha e shkollës ka refuzuar të flas. Ndërsa, në Komunën e Malishevës, thotë se pengesë e kanë një udhëzim administrativë. Megjithatë, njohësit e çështjeve arsimore theksojnë se në këto lloj situate, dëmi më të madh po iu bëhet nxënësve,
Nxënësja e cila është në klasën e katërt, Florinda Gashi tregon se janë pa mësues gati 2 muaj dhe se në raste të rralla e mëson edhe drejtoresha.
“Qe dy muaj jemi pa mësues, tash na mëson mësuesja e paraleles. 00:52 Kur nuk e kemi mësuesen na jep drejtoresha mësim”, tha Gashi.
Po ashtu, Lorena Gashi tha se një mësuese zhvillon mësim për klasat e tretët dhe të katërt.
“Lorena Gashi janë në klasën e katërt, dy muaj jemi pa mësuese dhe na mëson mësuesja e klasës katërt, dy klasat kur nuk e kemi mësuesen na mëson edhe drejtoresh”, tha Gashi.
Erblin Gashi, po ashtu në klasën e katërt, tha se i mungon mësuesja.
“Erblin Gashi, jam në klasën e katërt, kemi mungesë të mësueses, na mëson drejtoresha dhe mësuesja e klasës tretë”, tha Gashi.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi u shpreh se për atë nuk është shumë e lehtë çështja e zëvendësimeve të mësimdhënësve sepse një gjë të tillë e pamundëson udhëzimi administrativ.
Sipas saj, procedura e rekrutimit për zëvendësim zgjat mbi 60 ditë dhe për këtë arsyeje janë detyruar të obligojnë një mësuese për të dy klasat.
Drejtoresha Krasniqi tha se janë në fazën e fundit të rekrutimit dhe se pritet shumë shpejt të shpallen rezultatet për mësimdhënësin e ri.
“Është rast që mësimdhënësja ka dalë në pension dhe në rekrutimin e personelit arsimor ne nuk guxojmë të marrim asnjë hap tjëtër.04:46 Pritet shumë shpejt me i shpallë rezultatet, por që është një realitet që në shkollën e Vërmicës, nuk është humbur asnjë orë mësimore, sepse mësuesja e cila ka të njëjtin kualifikim në të njëjtën shkollë, është duke zhvilluar mësimin për më shumë se një muaj. Nuk është edhe shumë e lehtë çështja e zëvendësimeve e rasteve të lehonisë, të sëmundjeve të ndryshme të personelit të mësimdhënësve, sepse një gjë të tillë e pamundëson udhëzimi administrativ në listën e pritjes. 05:45 Ne si drejtori e Arsimit mbesim në situatë jo të mirë për shkak të zëvendësimit, sepse vet procedura ligjore për ta bërë një rekrutim zgjat pothuajse mbi 60 ditë….Mësuesja është e kualifikimit të njëjtë sepse po kjo mësuese klasës të tretë, përcjell edhe në klasën e katërt dhe krejt çka mundemi me thënë, mësuesen e kemi obliguar dhe e kemi dyfishuar punën dhe përgjegjësin për gjatë këtij një muaji sepse është dashur ndihma e saj”, tha ajo.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja theksoi se mungesa e mësimdhënësve dhe zëvendësimet e tilla i dëmton më së shumti nxënësit dhe se këtë situatë duhet marrë më seriozisht Ministria e Arsimit. Sipas tij, është e pa tolerueshme që nxënësit të qëndrojnë pa mësimdhënës muaj të tërë.
“Pa dyshim që është e dëmshme dhe në këtë rast në ato shkolla, ku mungon mësimdhënësi përgjegjësi kthehet te drejtoria komunale e arsimit, është DKA që bënë plane të mirëfillta për shpërndarje të resurseve njerëzore, për rekrutimin e listës nga pritja, në mungesë të saj, hapjen e konkurseve, pra nuk është faji i mësimdhënësit që për arsyeje të tij kërkon pushim me pagesë, pa pagesë, pushim mjekësor, vjetor që i takon ligjërisht, por faji është i drejtorive komunale të arsimit të cilat duhet të planifikojnë mirëfilltë edhe për këto situata të jo zakonshme. Si rezultat i dështimit në planifikim të rekrutimit të pozitave, si rrjedhojë e pushimeve me pagesë, papagesë të mësimdhënësve, pa dyshim drejtpërdrejt është te nxënësit të cilët mund të qëndrojnë me ditë, javë muaj pa mësimdhënës. Kjo është e pa tolerueshme dhe na duhet një përgjigje e standardizuar për të gjithë komunat, nuk guxojmë të lëmë këtë situatë në vullnet të komunave por duhet të standardizojmë si proces qendror”, tha Qehaja.
Ndërkaq nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se në mungesën e mësimdhënësve, në raste të papritura sigurohet një zgjidhje e brendshme nga shkollat dhe aktivi profesional.
“Pushimet pa pagesë të mësimdhënësve procedohen ashtu siç përcaktohet me dispozitat e përcaktuara ligjore, duke respektuar shqyrtimin dhe afatet kohore të procedimit administrativ. Zëvendësimi i pushimeve pa pagesë procedohet nga listat e konkursit rekrutues, duke përfillur fazat e vlerësimeve përkatëse. Në rastet e papritura të ndodhive, situatave të paparashikuara të mësimdhënësve, gjendet zgjidhje e brendshme nga shkolla, nga aktivi profesional përkatës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marrë ndonjë informatë nëse është siguruar ndonjë zëvendësim i ri për klasën e katërt të shkollës “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës./KP