Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kontribuar me ose pa vetëdije që bashkëjetesa e serbëve me shqiptarët në Kosovë të varroset, raporton teve1.info
Selmanaj në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1, tha se Kurti me sjelljen e tij, siç e quajti, unilaterale ndaj bashkësisë ndërkombëtare qoftë për zgjedhjet në veri, qoftë për targat, ka bërë që qytetarët e këtij komuniteti në veri t’i dorëzojnë funksionet e tyre në Polici e Prokurori. Sipas Selmanajt, veprime këto që e bënë Serbinë ta sheh Kosovën të demoluar para bashkësisë ndërkombëtare.
Selmanaj këto deklarime i bëri duke e komentuar Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë, për çka tha se ky dokument e futë një mekanizëm që është në gjendje të menaxhoj me arsim, shëndetësi e zhvillim ekonomik.
“E futë një mekanizëm që me qenë në gjendje me menaxhu me arsim, me shëndetësi, me planifikim urban, planifikim rural, zhvillim ekonomik, me qenë pronar të aseteve publike, me pas të drejtë me themelu ndërmarrje publike, këto e tejkalojnë edhe pakon e Ahtsaarit. Unë jam i bindur që këto pavarësisht që janë shumë afirmative edhe në Kushtetutë të drejtat dhe liritë themelore, kjo formë se si po tentohet të jetësohen ato besoni është rrezik serioz për shtetin Kosovës që të flasim më pas edhe për rreziqet që mund të vijnë edhe tek dezintegrimi i plotë i Kosovës ose probleme të vazhdueshme mes Kosovës e Serbisë”, tha Selmanaj.
Ai tha se e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të qasjes së Kurtit me dialogun.
“Dhe unë menoj që kjo ka ardhur më së shumti për shkak të qasjes që Kurti ka vendos të zgjedh për dialogun. Pse mendoj unë, sepse në të kaluarën sa do që ka pas një rezistencë të serbëve të Kosovës për t’u integruar, rezistencë të Serbisë që t’i integroj ata, në anën tjetër ka pas një përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare dhe klasës politikës që t’i ofrohet serbëve në mënyrë që të ndikoj në integrimin e tyre. Unë jam i sigurt që edhe ata serbë që e kanë veshë uniformën e Policisë së Kosovës, gjyqtarëve e prokurorëve, nuk e kanë bërë me dëshirë, nuk i kanë veshur ato rroba me dëshirë, nuk e kanë mbajt stemën me dëshirë, por ka ardhur si shkak i presionit të madh ndërkombëtare. Por cila ka qenë ideja e Serbisë, që përfundimisht të varros idenë që shqiptarët dhe serbët mund të jetojnë bashkë në Kosovë. Fatkeqësisht, Kurti që nga dita e parë e punës së tij, ndoshta edhe më herët, ka investua seriozisht në realizimin e këtij projekti, me ose pa vetëdije që të varros idenë që shqiptarët e serbët mund të jetojnë bashkë”, tha Selmanaj.
Deputeti i LDK-së, tha se si rezultat i sjelljes së kryeministrit Kurti ndodhën edhe sanksionet e Kosovës nga BE-ja.
“Prandaj e thash me ose pa vetëdije Kurti kur e ka filluar sjelljen unilaterale duke i injoruar sugjerimet e tyre qoftë për procesin e organizmit te zgjedhjeve atje, qoftë për qasjen ndaj targave, qoftë situatat që ndodhen atje, derisa erdhëm në situatë kur ata i dorëzuan të gjitha funksionet e tyre, u larguan nga institucione dhe në fakt erdh situata kur bashkësia ndërkombëtare vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe sot është dita e 138 që Kosova është nën sanksione të BE-së nga vendet që kanë hisen më të madhe të krijimit të këtij projekti të madh të shqiptarëve. Dhe kur erdhëm në këtë situatë, normal që Serbia e pa Kosovën në kuptimin e rolit të saj ndërkombëtar të demoluar. Në anën tjetër veprimet e Kurit veç çka ‘qonin ujë në mulli’ të tyre dhe çfarë bëri, bëri edhe veprime të një agresori që ne edhe e njohim qasjen fashiste që e ka Serbia ndaj shtetit të Kosovës duke organizuar shteti i tyre me forca paramilitare duke u futur në Kosovë dhe duke e vrarë tashmë heroin Afrim Bunjaku. Andaj po e them, ideja e Serbisë që të varros idenë e bashkëjetesës në Kosovë, ky kryeministër me ose pa vetëdije i ka shërby, dhe tani kur jemi në situatën kur bashkësia ndërkombëtare thotë që situata ka degraduar aq shumë që në çdo moment mund të vritet dikush dhe nuk ka interes asnjëra palë që të jetoj atje, tani dalin edhe ide maksimaliste mendoj që i shtohen shtetit të Kosovës për pranim që është ideja e tillë për pranimin e këtij Asociacioni e që është për mendimin tim, do të jetë fatal për të ardhmen e Kosovës”, tha Selmanaj.