Për dy vjet, një deputet shqiptar i ka përfaqësuar shqiptarët e Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë.
E në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit atje, partitë shqiptare po synojnë që të rrisin këtë numër.
Por për t’u arritur ky qëllim, po kërkohet një listë e përbashkët garuese.
Kjo temë u diskutua edhe në takimin e përbashkët të kryeministrit Albin Kurti me kandidatët shqiptarë për deputetë në Serbi.
“Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëmarrësit Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Musliu, Naser Aziri e Armend Aliu për kontributin e tyre të deritanishëm dhe u dëshiroi sukses në zgjedhjet e radhës. U diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë, shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t’i arrijnë tre deputetë. Ishte konstatim i përbashkët, që një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, Nagip Arifi tregon se çka u diskutua në këtë takim.
E nga shtatë kandidatët, prezent nuk ishte vetëm kandidati i Alternativës për Ndryshim, Visar Mehmeti.
Ai tregon arsyen pse nuk ka marrë pjesë.
“Po, më kanë ftu mua si kandidat potencial, mirëpo nuk është ftuar kreu i subjektit ashtu siç janë ftuar krerët e partive tjera, kështu që unë nuk e kam pa të arsyeshme me marrë pjesë në takim, duke e ditur se subjektet tjera janë të përfaqësuara nga krerët e tyre”, tha Mehmeti.
Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se pjesë e takimit kanë qenë të gjithë kandidatët për deputetë.
“Po ka qenë i ftuar. Ftesa dhe takimi ka qenë për kandidatët për deputetë”, tha ai.
Në 30 vjetët e fundit, partitë shqiptare të Luginës së Preshevës, vetëm një herë në vitin 2020 kanë arritur të shkojnë me një listë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.