Partizani arrin fitoren e tretë radhazi në Superiore. Të kuqtë e kryeqytetit bindën në udhëtim, derisa mposhtën 2:1 Erzenin.
Ky takim rezultoi shumë i luftuar, me kryeqytetasit që zhbllokuan sfidën në minutën e 27’ me Carën.
Shijakasit nga ana e tyre tentuan që të gjenin barazimin, megjithatë në minutat shtesë të fraksionit hapës morën një tjetër goditje, pasi në minutën e 45+4’ Kahrimanovic u ndëshkua me karton të kuq dhe la ekipin e tij me dhjetë lojtarë.
Megjithatë në pjesën e dytë Erzeni u tregua edhe më kërkues dhe në minutën e 64’ Meçja shënoi golin e barazimit.
Partizani nga ana tjetër nuk u dorëzua dhe në minutën e 89’ gjeti golin e triumfit me Mensah.
Pas javës së nëntë të Kategorisë Superiore, Erzeni renditet në vend të shtatë me 11-të pikë, teksa Partizani renditet në vend të dytë me 17 pikë, dy më pak se Egnatia kryesuese, por duhet theksuar se kryeqytetasit numërojnë një ndeshje më pak.