Ekonomia e rajonit u rrit për 10 përqind pas pandemisë. Përgjatë tri viteve edhe në Bashkimin Evropian rritja ka qenë rreth 3 përqind.
Kështu u tha në hapjen e konferencës rajonale ‘’CORE DAYS 2023’’, e mbajtur në Kotor të Malit të Zi, ku u prezantua indeksi i parë rajonal. Ky indeks bën vlerësimin e parametrave për zhvillimin e qëndrueshëm duke ofruar analizë krahasuese të ekonomive, vendeve brenda rajonit, duke synuar përmirësimin e mjedisit të tyre të biznesit.
Në indeks janë të përfshira vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Të gjitha këto vende së bashku përbëjnë një treg prej gati 20 milionë banorë dhe një GDP të përgjithshme prej gati 200 miliardë eurosh.
Rezultatet e indeksit të parë rajonal vendosin Kroacinë me 57.7 pikë si kryesuesen në rajon, duke përfituar nga anëtarësimi i saj në BE dhe një mjedis relativisht i favorshëm biznesit. Ky shtet ka pikët më të larta në fushat e stabilitetit makroekonomik dhe sundimi i ligjit.
Serbia siguron vendin e dytë me 51. 5 pikë, në arritjet e fiskalizimit dhe zbatimit të sistemit elektronik për dhënien e lejeve të ndërtimit.
E ndjekur me 50.7 pikë nga reforma e rëndësishme tatimore e Malit të Zi dhe eliminimi i kontributeve në sektorin e shëndetësisë që dhanë ndikime pozitive në rritjen ekonomike dhe mbledhjen e të ardhurave buxhetore.
Shqipëria poashtu rangohet me 50.66 pikë dhe zë vendin e katërt, duke ofruar mbi 1000 shërbime të dixhitalizuara për rreth 2.8 milionë qytetarë dhe biznese. Vlerësohet lart poashtu në investimet në energji të ripërtërishme por duhet të përmirësohet në barazi gjinore, qasja në tregjet financiare, informaliteti dhe inovacioni.
Maqedonia e Veriut renditet e pesta me 48.13 pikë, duke treguar progres të lavdërueshëm në cilësinë e rregullave për luftimin e inflacionit dhe tregun e punës, por ngec në dialogun publiko-privat, zhvillim të qëndrueshëm.
Kosova është e gjashta me rezultatin 46.90, duke u sfiduar me papunësinë e lartë dhe arsim të dobët, mungojnë të dhënat për inovacionin e biznesit. Po ashtu përballet me sfidat më të mëdha në barazi gjinore.
Bosnja dhe Hercegovina është e shtata me një rezultat prej 43.89, sundimi i ligjit mbetet sfidë në këtë vend, por është e fortë në bilancin buxhetor. Ajo lufton si në tregun e punës ashtu edhe në atë financiar dhe performon dobët në rregulla dhe dixhitalizim.
Në hapjen e evenimentit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic theksoi se duhet të promovohen marrëdhëniet e mira fqinjësore mes shteteve.
“Nuk duhet harruar se historia e Bashkimit Evropian ka filluar si një histori e integrimeve rajonale, kjo duhet të jetë edhe rruga jonë”, ka thënë presidenti i Malit të Zi.
Ndërkaq Menaxheri Rajonal i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) për Ballkanin Perëndimor, Nicolas Markier tregoi misionin kryesor të organizatës në rajon.
“Ne jemi të përkushtuar për të ushqyer rritjen e sektorit privat në tregjet në zhvillim, duke i dhënë përparësi shpërndarjes së burimeve financiare drejt nismave të ndërgjegjshme dhe të qëndrueshme për mjedisin, duke marrë parasysh gjithashtu ndikimet e tyre sociale dhe qeverisëse”, shprehet Markier.
Certifikimi BFC SEE
Gjatë konferencës së CORE DAYS, katër komuna nga Serbia (Nishi, Paracin) dhe Bosnje e Hercegovina (Stanari dhe Srbac) u certifikuan për mjedis të favorshëm biznesi, duke ju bashkangjitur rrjetit të 44 qeverive lokale nga i tërë rajoni që u certifikuan në vitin 2022.
E në këtë edicion, një rëndësi e veçantë iu kushtua digjitalizimit,zhvillimit të qëndrueshëm dhe social, mbrojtjes së mjedisit, stimulimit të inovacioneve dhe integrimeve të BE-së në nivel lokal.
Më shumë se 60 qytete nga i tërë rajoni kanë aplikuar për arritjen e kësaj vule të cilësisë dhe hyrjes në garën e re rajonale, për të shkëmbyer dhe aplikuar reformat që përbëjnë rrugën thelbësore të rajonit në integrimet e BE-së ka theksuar Drejtoresha Ekzekutive e NALED, Violeta Jovanović.
E shteti i Kosovës po merr pjesë për herë të dytë në këtë eveniment, përfaqësuar nga Insituti Riinvest në cilësinë e udhëheqësit të sekretariatit për Kosovën, Z. Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i cili moderoi panelin për: Komuna dhe komuniteti miqësor ndaj biznesit – kampionë të zhvillimit ekonomik lokal.
Gëzim Gjikolli foli si panelist: Zhbllokimi i potencialit të investimeve dhe pasurive të paluajtshme dhe znj. Nora Hasani, folëse në panelin: Qeverisje mjedisore dhe sociale (ESG) – A janë bizneset gati për zhvillim të gjelbër?
Pjesëmarrja e komunave mundësohet nga projekti Komuna Miqësore për Biznes/ BusinessFriendlyCertificat BFC SEE në Evropën Juglindore i cili financohet nga Gizi. Instituti Riinvest udhëheq sekretariatin për Kosovën, i cili u bë pjesë e këtij projekti rajonal në vitin 2022.
Në fazën e certifikimeve tashmë nga Kosova po hynë Komuna e Prizrenit, Lipjanit dhe Kamenicës.
“Në këtë përpjekje ne kemi përzgjedhur një numër komunash me të cilat do të bashkëpunojmë, do t’ju ndihmojmë të përmirësojnë politikat e tyre dhe mënyrën se si qeverisin dhe për rrjedhojë të marrin këtë certifikatë që kanë një mjedis miqësor për bizneset”, tha Alban Hashani, drejtor i Institutit Riinvest.
Por çka ndodhë me këto komuna pas certifikimit ndërkombëtar?
“Ato sinjalizojnë se kanë mjedis më të mirë biznesor krahas komunave tjera edhe për rrjedhojë do të mund të tërhiqnin më shumë investitorë se komunat tjera që nuk janë të certifikuara. Mirëpo para së gjithash ne e shohim si mundësi të komunave, veçanërisht ekzekutivit të komunave ku me plotësimin e kritereve u jepet mundësia për me qeverisë më mirë me komunat dhe për të kriju një mjedis në të cilin hallet e sektorit privat dëgjohen më mirë”, tha Hashani.
Prandaj pjesëmarrja në këtë konferencë po mirëpritet nga komunat të cilat janë në fazën e certifikimit.
“Ne konsiderojmë që ky certifikim do të ketë një impakt pozitiv për komunën e Lipjanit për shkak se do i shërbejë komunës së Lipjanit me shkëmbye përvoja të ndryshme me qytetet të cilat janë pjesë e këtij programi BFC, njëherit do shërbejë që komunën e Lipjanit me njoftu me qytete tjera të rajonit që kemi potencialin dhe gjithë çka nevojitet për zhvillim të suksesshëm të nivelit lokal ekonomik”, tha Valon Pacolli, drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim në komunën e Lipjanit.
Ndërsa, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik nga Komuna e Kamenicës, Burbuqe Leka , vlerësoi se ky program do të mundësojë shkëmbin e praktikave me vendet e rajonit.
“Pas certifikimit BFC, komuna e Kamenicës do ta ketë mundësinë t’i shkëmbejë praktikat e ndryshme nga vendet e rajonit dhe në projektet e ndryshme në të ardhmen do ta kemi më të lehtë të marrim grante donator[t si EBRD, GIZ, SIDA, BE dhe të tjera organizata dhe shtete”, tha ajo.
Më tutje u bënë reflektime mbi gjetjet e raportit të indeksit, reformat kryesore, arritjet e mangësitë nga paneli i përbërë prej zëvendës-kryeministra, profesorë e kryetarë komunash nga Serbia, BiH, Kroacia e Mali i Zi. Ndërkaq në panelin e radhës u diskutua për zhbllokimin e potencialit të pasurive të paluajtshme. Këtu u paraqit Gëzim Gjikolli nga Shoqata e Vlerësuesve të Kosovës, i cili vlerësoi se kjo çështje është problematike për Kosovën, marrë parasysh evazionin fiskal.
Ndërsa lidhur me inovacionin – ekosistemin miqësor, të moderuar nga drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani, morën pjesë njohës ligjor e tregtar, menaxherë e drejtorë për inovacion e teknologji.
Së fundmi në ditën e parë të konferencës ndërkombëtare ‘’CoreDays’’ u diskutua për Ballkanin Perëndimor mes luftës në Ukrainë, BE dhe SHBA – zgjedhjet 2023’’, ndërkaq u bë edhe një darkë gala, në anijen Katica në Kotor të Malit të Zi.
Ndërkaq në ditën e dytë të kësaj konference u diskutua për vlerën e parasë (publike); prokurimin e gjelbër dhe social – të përgjegjshëm. Në panel morën pjesë themelues institutesh, përfaqësues të prokurimeve publike e drejtues menaxher.
E në panelin e fundit të Coredays u diskutua për ESG-të në fokus; ndikimin në bizneset e ËB6 dhe hapat përpara. Pjesë e panelit të diskutimit u paraqit Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare. Aty ajo tregoi për përvojat e mira që ka hasur OEGJK tek anëtarët e saj në aplikimin e Investimit mjedisor, social dhe të qeverisjes, e gjithashtu për përgatitjen e kompanive anëtare në përshtatje me Ligjin për Zingjirin e Furnizimit në Gjermani.
Konferenca e CORE Days 2023, e përqendruar rreth temës ‘’Rritja e zgjuar dhe e gjelbër – lokale, rajonale, evropiane’’ u organizua nga NALED, ndërkaq u mbështet nga Qeveria Suedeze përmes Sida-s dhe Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim nëpërmjet GIZ-it dhe Konrad Adenauer Stiftung.
Partneriteti CORE bashkon më shumë se 20 partnerë institucionalë nga territori i Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia, duke përfshirë anëtarë të rinj – Shoqatën e
Autonomive Lokale të Shqipërisë nga Tirana dhe Institutin për Hulumtime Zhvillimore Riinvest.
CORE PARTNERSHIP është krijuar në vitin 2022 si një përmirësim i Rrjetit për një mjedis të favorshëm biznesi, i cili në 10 vitet e mëparshme ka punuar në përmirësimin dhe harmonizimin e kushteve të biznesit në rajon përmes programit të certifikatës BFC.