Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në vend nuk duhet të jetë më e vogël se 8 për qind, për shkak të sfidave kryesore që i ka Kosova, e që janë papunësia e deficiti i lartë tregtar.
“Nëse e shohim në nivel global, kemi një rritje në tremujorin e dytë 2023-ës rreth 0.23 për qind. Është një përmirësim në ekonomitë e Eurozonës, për arsye në raportet e mëhershme dhe pritjet e tyre kanë qenë se nuk do të kemi fare rritje ekonomike por do të kemi rënie por është një mesazh kjo përqindje. Pastaj është mirë që edhe inflacioni ka filluar të bie. Në Eurozonë inflacioni është afër 6.2 për qind dhe parashikimet janë që këtë vit, inflacioni do të jetë rreth 5.4 për qind e vitin e ardhshëm do të jetë 3 për qind, që të jep me shpresuar se po shkojmë drejtë përmirësimit të gjendjes ekonomike në nivel të Eurozonës”, ka thënë Mehmeti, teksa rritjen normës së interesit e konsideron si të pashmangshme.
Mehmeti ka thënë se sipas parashikimeve, inflacioni gjatë vitit të ardhshëm në nivel të Eurozonës do të jetë 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 në 2 për qind.
“Pra parashikimet janë që vitin e ardhshëm të kemi rreth 3 për qind inflacionin, pra kjo ndikon në tërësi edhe në ekonominë e vendit por më pastaj pritjet janë që në vitin 2025, pritjet që inflacioni të vie në nivelin çfarë e ka dëshiruar Banka Qendrore Evropiane, që të jetë rreth 2 për qind”, u shpreh ai.
E rritjen ekonomike për këtë vit, Mehmeti e konsideron të vogël dhe se e njëjta duhet të jetë mbi 8 për qind. Shkak për këtë, ish-guvernatori thotë se duhet për t’i adresuar papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar.
“Në Kosovë, në tremujorin e dytë 2023, rritja ekonomike ishte rreth 2 për qind e një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, është që të kemi një rritje ekonomike dikund rreth 3.5 për qind këtë vit. Nuk është një rritje, zakonisht kemi pasur rritje edhe në vitet tjera dhe unë kam potencuar se neve na duhet një rritje më e lartë ekonomike, përafërsisht deri në 7-8 për qind, me qëllim që t’i adresojmë dy sfidat të cilat në vazhdimësi i ka pasur Kosova dhe vazhdon t’i ketë e që janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar”, thotë Mehmeti për EO.
E borxhi e ulët publik sipas Mehmetit do duhej të rritej, pasi aktualisht është 17 për qind. Thotë se ka hapësirë të rritet deri në 40 për qind.
“Edhe borxhi publik 2.67 miliardë ishte borxhi publik me të dhënat e fundit e nëse e shohim me të GDP, është mbi 17 për qind. Unë gjithmonë e kam thënë se këtu ka hapësirë që të rritet borxhi publik deri në 40 për qind. Realisht, e kam potencuar kurrë asnjëherë nuk është borxhi i lartë publik, përderisa dihet se ku po shkon, kujt i dedikohet ky borxh dhe nëse shkon nëpër aktivitetet të cilat janë vlerë e shtuar e ekonomisë, asnjëherë nuk është borxhi i lartë. Por në anën tjetër, nëse ne nuk e rrisim borxhin dhe kjo do të na dërgojë në atë që ne nuk jemi duke mbështetur ekonominë e vendit”, thotë Mehmeti.