Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Bajram Velijajn, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, A.A me 14 plumba në gusht të 2019-ës.
Sipas vendimit të Apelit, kolegji i kryesuar nga gjykatësja Afërdita Bytyçi është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.13/20 i datës 01.10.2021, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.3 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par 1. të KPRK-së për të cilat është shpallur fajtor Bajram Velija i shqiptohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 25, vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 06.08.2019 e tutje.
Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Orhan Rekathati nga Prizreni, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin, me propozim që të aktgjykimi të ndryshohet për sa i përket sanksionit penal, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë me burgim.
Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit, pas njoftimit të të gjitha palëve, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes, pas studimit të aktgjykimit të ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPRK-së dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesë gjeti se ankesa e mbrojtësit është pjesërisht e bazuar dhe atë vetëm për vendimin për dënimin.
Gjykata e Apelit e Kosovës në atkgjykimin e saj gjeti të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Velija se dënimi i shqiptuar është i ashpër dhe jo proporcional me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe se nuk ka pasur bazë ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
“Gjykata e Apelit gjeti si të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë se sa dënimi i shqiptuar ngase në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara shprehimisht nga neni 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtësit të akuzuarit janë të bazuara, ngase, pavarësisht, konstatimit të gjykatës së shkallës së parë, se rrethana lehtësuese nuk ka gjetur, në këtë çështje penalo-juridike ka edhe rrethana lehtësuese që gjykata e shkallës së parë, nuk i ka marr parasysh, pastaj, kur është fjala për rrethanat rënduese, përveç, që disa nga ato që gjykata e shkallës së parë, i ka konsideruar si rrethana renduese, kanë të bëjnë me elementet përbërëse të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, disa nga rrethanat tjera rënduese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, në fakt janë rrethana lehtësuese e jo rënduese.
Sipas Apelit, sjellja e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale, kur i njëjti e merr një shami nga viktima dhe e mbulon kufomën, mënyra tinëzare-dinake e kryerjes së veprës penale, fakti se i akuzuari pas vrasjes ka pritur ardhjen e policisë dhe ka informuar familjarët e tij dhe se fakti se atij në momentin e vrasjes i është shfaqur një katror i zi duke dashur që ta eliminojë dashjen gabimisht janë marr si rrethana renduese e që në fakt duhej të konsideroheshin si rrethana lehtësuese.
Po ashtu fakti se i akuzuari Bajram Velija është baba i 3 fëmijëve, i moshës relativisht të vjetër, pendimin e tij, kërkimin e faljes ndaj vajzave të ndjerës por njëkohësisht edhe faljen publike, si dhe faktin se nuk ka qenë më herët i dënuar dhe sjellja e tij kanë qenë rrethana lehtësuese.
Për këtë arsye, Gjykata e Apelit vlerësoi se dënimi i shqiptuar te akuzuarit me burgim te përjetshëm, është i ashpër dhe nuk është në përputhje me rrethanat rënduese të konstatuara dhe të vlerësuara nga gjykata e shkalles së parë, pastaj, rrethanat lehtësuese të konstatuara në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit, të cilat janë të pranueshëm edhe për këtë gjykatë, e sidomos, me rrethanat lehtësuese të konstatuara tani nga Gjykata e Apelit, por as me dispozitat e nenit 41 par. 1 nën par. 1 të KPRK-së, ku parashihet në mënyrë specifike kushtet për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Prandaj kjo gjykatë, vendosi që me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit i shqiptojë dënimin me 2 vite burgim me bindje se dënimi i shqiptuar tani është në proporcion edhe me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, pastaj, të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe se ky dënim duhet të jetë në shërbim të preventivës së përgjithshme e sidomos të asaj të posaçme, forcimit të moralit të shoqërisë, përgjegjësisë dhe disiplinës së qytetarëve dhe konsideron se me dënimin e shqiptuar do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.
Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet
Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit 2019. /Betimipërdrejtësi