24 shtatori ishte ditë e vështirë për Policinë e Kosovës.
Në Banjskë të Zveçanit, në mbrojtje të shtetit nga sulmet terroriste mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën tre zyrtarë tjerë policor.
Profesionalizmi i tyre i treguar në vijën e parë të intervenimit u vlerësua lartë si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, ekspertët e sigurisë por edhe nga përfaqësues shtetesh të jashtme.
Por, pavarësisht lëvdatave, zyrtarët policorë po kërkojnë kushte më të mira pune.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri thotë që është koha e fundit që të plotësohen kërkesat e policëve.
“Unë mendoj se rasti i fundit është më i freskët i saj i PK gjatë kryerjes së detyres dhe mendoj se do duhej të ndikonte të shihej puna e Policisë nga të gjithë tanimë po e shohin edhe jo pjesa jo profesionale dhe po e sheh dhe nuk e di sa duhet të presim të plotësohen kushtet në PK prandaj për këtë po e them dhe po dëshiroj të jetë dhe po mendoj edhe të gjithë përgjegjësitë për përmirësimin e kushteve do të veprojnë kësaj here”, thotë Zeqiri.
Madje, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri thotë se tashmë durimit të tyre po i vije fundi.
“Sa i përket shtesave të rrezikshmërisë, kjo ka qenë kërkesë e Sindikatës që nga implementimi mendoj se nuk është dashtë as të diskutohet shtesat lëre më të ndalet mirëpo ndodhi, dhe tani është shumë e pakuptimtë që kanë kaluar 8 muaj dhe kjo nuk paguhet. Përkundër informacioneve që kemi jo të shkruara që është duke u punuar në këtë drejtim dhe MPB pritet të dalë me një njoftim se çfarë po ndodhë me to”, shtoi ai.
Edhe një ish-zv.ministër i Punëve të Brendshme, vlerëson se kushtet e zyrtarëve policorë duhet përmirësuar nga institucionet për shkak edhe të rrezikshmërisë që ata kanë në punë.
“Nëse Policia janë si institucioni më i rrezikum gjithsesi duhet shumë të bëhet për Policinë, sidomos duhet me iu njoftë stazhi i benificum, me qenë të sigurum sigurimi shëndetësor, gjithsesi duhet me i pasë rrogat e konsiderueshme që mos me u largu sepse gjithkush nëse nuk e ka rrogën e mirë ai kërkon mundësi ku tjerët fitojnë më shumë”, bën të ditur ish-ministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.
Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme por që përkundër pritjes, nuk ka pasur përgjigje.
Ndërkohë, gjatë javës, në Kuvendin e Kosovës nuk kaloi një rezolutë e propozuar nga PDK, që pikërisht kishte të bënte me përmirësimin e kushteve të punës për policët. Rezoluta nuk u mbështet nga deputetët e partisë në pushtet- Lëvizjes Vetëvendosje.
Aktualisht, policët po kërkojnë shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblim për fundvit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësor e jetësor dhe pensionimi i parakohshëm.