Kuvendi i Kosovës, gjatë javës do të mbajë katër seanca.
E para do të mbahet të mërkurën, më 4 tetor, në orën 13:00, me pikat e parapara për seancën e 28 shtatorit, për të vijuar të enjten në orën 10:00 me një seancë të veçantë për shqyrtimin e amendamentit kushtetues nr. 27.
Pas saj, Kuvendi do të vijojë punimet me seancë të re, në të cilën pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të votohet për Projektligjin nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, si dhe të shqyrtohet Projektligji nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.
Në lexim të dytë ndërkaq do të shqyrtohen Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe ai për verëra.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshime klimatike do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, për të vijuar me emërimi i dy anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës dhe të një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Në këtë seancë pritet të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, si dhe të bëhen disa ndryshime të deputetëve në komisione të ndryshme parlamentare.
Të premten sipas njoftimit në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë një seancë të veçantë vetëm me pyetje parlamentare.
Kryesia në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj./teve1.info/







