Gjatë ditës së sotme, (e mërkurë) përmes një aktiviteti Policia e Kosovës ka organizuar shkatërrimin e armëve ilegale që janë konfiskuar. Aty morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia por edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Pas shkrirjes së armëve, u bë e ditur se ato do të përdoren për prodhimin e kapakëve të pusetave.
Këto janë vetëm disa nga armët që u konfiskuan gjatë vitit të kaluar nga Policia e Kosovës.
E për to, pas kësaj periudhe kohore u mor vendim që të shkatërrohen në një fabrikë të metalit në fshatin Prelez të Ferizajt.
Kjo u bë pas realizimit të të gjitha proceseve gjyqësore për asgjësimin e tyre.
Por, para se të zhvillohet kjo procedurë, për këto armë folën edhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë.
Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani u shpreh se me këtë aktivitet, vendi po thekson përkushtimin e fuqishëm se po zbaton standardet më të larta ndërkombëtare për kontrollin e armëve.
“Sot është një ditë e veçanta kur Kosova sërish e rithekson përkushtimin e fuqishëm që të zbatoj standardet më të larat ndërkombëtare për kontrollin e armeve, përkatësisht luftimin e posedimit të armëve dhe municionit. Armët që do të shkatërrohen sot do janë konfiskuara kryesisht nga Policia e Kosovës në operacione të ndryshme policore, PK ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të ruajt sundimin e ligjit dhe për të ofruar siguri për qytetarët tanë dhe po vazhdon me të njëjtën edhe sot e kësaj dite”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.
Kurse, zv.drejtori i Policisë, Dejan Jankoviq tha se ky institucion në kuadër të fushëveprimtarisë në zbatimin e ligjit, zbaton strategji shtetërore që kanë të bëjnë me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.
“Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth një mijë e 500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasësë duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë. Me vendim të Gjykatës, është lejuar shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale dhe për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë, Dejan Jankoviq.
Pas përfundimit të fjalimeve edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë, filloi procedura e shkrirjes së armëve.
Në fillim, u sistemuan armët e gjata dhe të shkurtra për të filluar me asgjësimin e tyre.
E më pas, ato u dërguan në një shkritore ku edhe përfundimisht këto armë më nuk do ta kenë funksionin që e kishin më parë.
Këto armë që u shkatërruan sot, do të shfrytëzohen për prodhimin e kapakëve të pusetave.
Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë – Programit të Kosovës për Siguri (KSSP).