Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për medie pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar takimin e 14 shtatorit që pritet të mbahet në Bruksel në mes kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, tha se fatkeqësisht Kosova është pala e vetme konstruktive në këto bisedime.
Osmani tha se lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga shteti serb është e gjatë, teksa shpresoi që të ketë një qasje më balancuese ndërmjet palëve nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që sipas saj procesi të ketë sukses.
“Raundi i ri i dialogut mbahet me 14 shtator, Kosova gjithmonë ka qenë e vetmja palë konstruktive në atë proces fatkeqësisht. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë. Më duhet të them që shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur nuk e kemi pa këtë balanc dhe do të doja ti bëjë thirrje të gjithë partnerëve, aleatëve tanë që të sigurojnë këtë lloj baraspeshe, që të sigurojnë një parim të barazisë së plotë dhe pozicionimit të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme dhe rezultate që me të vërtetë kontribuojnë në paqe dhe siguri në rajon. Tani ajo që mbetet në këtë moment është te diskutimi i një plani renditjeje të marrëveshjeve që janë bërë në Bruksel dhe në Ohër dhe ai plan sekuencimi duhet të marrë parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit që janë 11 nene jo vetëm 1”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se Kosova insiston në zbatim të marrëveshjes së plotë, por që sipas saj, Serbia ka shkelur çdo obligim të saj.
Për këtë e para e shtetit tha se Serbia me këto veprime po vazhdon përpjekjet për destabilizim jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por sipas saj, po vënë në rrezik vlerat që përfaqëson BE-ja dhe NATO.
“Ne në Republikën e Kosovës kemi insistuar në zbatim të plotë të të gjithë marrëveshjes, nuk ka ndonjë nen që është më i rëndësishëm se tjetri dhe jemi përkushtuar që të bëjmë pjesën tonë të obligimeve, por që nuk e injorojmë faktin që Serbia ka marrë përsipër obligime konkrete mes të cilave është edhe mungesa e veprimeve në kundërshtim me të Kosovës në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, këtë e ka shkelur. Edhe pse marrëveshja bënë thirrje që palët të respektojnë territorialitetin e palëve. Ajo çka Serbia ka bërë pas kësaj është se ka kidnapuar tre policë shqiptarë në territorin e Kosovës dhe vazhdojnë me përpjekjet e tyre destabilizuese kundër gjithë fqinjëve në rajon që është fatkeqe, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që po destabilizojnë Ballkanin Perëndimor por po i vënë në rrezik të gjitha vlerat e një sistemi që Bashkimi Evropian dhe NATO përfaqësojnë”, shtoi ajo./teve1.info./