Policia e Kosovës ka njoftuar se disa segmente rrugore në Kosovë do të bllokohen përgjatë datave 7, 8 dhe 9 shtator.
Sipas njoftimit, kjo do të bëhet për shkak se parashihet të mbahet gara me biçikleta, e organizuar nga Federata e Çiklizmit e Kosovës ”TOUR OF KOSOVO 2023’’.
Në këto akse rrugore përfshihen edhe autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi’’.
Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprimet e saj planifikuese dhe operacionale me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj gare.
Njoftimi i plotë:
Referuar planifikimeve për zhvillimin e garave ndërkombëtare çiklistike, të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës ”TOUR OF KOSOVO 2023’’ në çiklizëm rrugorë e cila do të mbahet më datat 7-8-9 shtator 2023, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e saj planifikuese dhe operacionale me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj gare.
Policia e Kosovës ka hartuar planin operacional ku pjesë e tij është edhe ndërprerja e përkohshme e disa akseve rrugore përfshirë autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi’’ përderisa zhvillohen garat në të cilat pritet të marrin pjesë edhe ekipe ndërkombëtare.
Itinerari i garës sipas Federatës së Çiklizmit të Kosovës ku parashihet ndërprerja e përkohshme e qarkullimit të trafikut është si vijon; Etapa e parë; më datë 07.09.2023, nga ora 12:00, gara fillon nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, përgjatë 5 km.-ve të para gara do të jetë e mbyllur deri në vijën zyrtare të startit ku do të jetë në Veternik tek pompa e benzinës,’ në anën e djathtë ku do të fillojë gara në drejtim të Bardhoshit ( Gazimestan) do të kalojë përgjatë transitit në Fushë Kosovë – “Kroni Mbretit”- Malishevë – Suharekë – Prizren –Morinë ( kufiri me Shqipëri), kthimi majtas në drejtim të Prizrenit – Suharekë – Duhle ku është përcaktuar finishi i garës para rrethrrotullimit “Qafë Duhël – Suharekë”, 500 metra para daljes nga autostrada “Prizren-Prishtinë”. Gajtësia e garës është m149 km.
Etapa e dytë; më datë 08.09.2023 prej orës 11:00, gara do të fillojë nga kufiri (Morinë),Prizren
– Suharekë- Fushë Kosovë, kthimi djathtas për Ferizaj – Kaçanik dhe përfundimi në Han të Elezit me gjatësi të përgjithshme 147 km.
Etapa e tretë ; më datë 09.09.2023, prej orës 11:00 deri 15:00, gara do të fillojë nga Hani i Elezit – Kaqanik-Ferizaj – Bardhosh (Gazimestan te Unaza) – Fushë Kosovë (Tranzit)- Komoran – Kroni Mbretit – Malishevë-Suharekë-Prizren – Morinë (kufiri me Shqiperinë) ku edhe është përfundimi garës ( 5 km., afër kufirit Morinë) me gjatësi të përgjithshme 157.5 km.
Gjatë kësaj kohe, parashihet që të ketë bllokim/ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në akse rrugore/autostrada (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë të tjera alternative.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohën sa do të jenë duke u zhvilluar garat. Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme.