Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën.
Kurti ka thënë se përmes kësaj deklarate shpreh mbështetja e plotë për Ukrainën.
Ai ka thënë se Kosova përmes kësaj deklarate thekson se “Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”, ka shkruar Kurti.
DEKLARATË E BASHKIMIT ME DEKLARATËN E PËRBASHKËT TË VENDEVE TË G7 MBI MBËSHTETJEN PËR UKRAINËN
Pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas.
Ne i përshëndesim ata për rezistencën e tyre të guximshme në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen e stabilitetin botëror. Po ashtu u shprehim keqardhjen dhe ngushëllimet më të thella për humbjet dhe vuajtjet e tyre.
Pasojat e konfliktit kanë ndikuar edhe përtej kufijve të Ukrainës. Në përpjekje për të tërhequr vëmendje prej luftës së saj ilegale, Rusia po tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, me ndihmën e aleatëve të saj kryesorë autokratikë në rajon.
Prej ditës së parë të konfliktit, Republika e Kosovës po qëndron krahas Ukrainës dhe popullit të saj, pa rezervë. Menjëherë e kemi dënuar pushtimin dhe u jemi bashkëngjitur sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së kundër Rusisë. Kemi shprehur gjithashtu gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë nga konflikti dhe kemi mirëpritur në Kosovë 18 gazetarë ukrainas, duke iu ofruar një vend të sigurt ku mund të vazhdojnë misionin e tyre për t’ia thënë të vërtetën pushtetit.
Tani që lufta ilegale e Rusisë po zgjatë, duke hyrë thellë në vitin e saj të dytë, Republika e Kosovës, përmes kësaj letre, i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën. Tani më shumë se kurrë, bota demokratike duhet të flasë me një zë, drejt një qëllimi të përbashkët. Sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të
Rusisë për krimet e tyre, është i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej. Prandaj, Republika e Kosovës mbetet e gatshme për t’u kontribuar përpjekjeve të parashikuara në Deklaratën e Përbashkët dhe mbështetë plotësisht synimet dhe vlerat e shpallura në të./teve1.info/