Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se mostrajtimi i barabartë i pakicave në Ballkanin Perëndimor është për faktin se Serbia nuk po ka vullnet ta bëjë një gjë të tillë për pakicat që jetojnë në territorin e saj, ndërsa kërkon të drejta për serbët që jetojnë në vende tjera sidomos atyre në veri të Kosovës.
Ai ka kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtar që sipas tij, nuk ka mbështetë sa duhet kërkesat e shqiptarëve në Luginë.
“Mosrespektimi i të drejtave dhe mungesa e simetrisë në trajtimin e barabartë të pakicave në Ballkanin Perëndimor po vjen si pasojë e mungesës së vullnetit të Serbisë, shtetit kandidat për integrim në BE, për të ofruar për pakicat që jetojnë në territorin e sajë të drejta të njëjta me ato që po kërkon për serbët kudo që jetojnë ata, e sidomos në Veriun e Kosovës .Derisa përfaqësuesit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës, qysh nga viti 2001, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, po kërkojnë hisen e vet të përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë, me pjesëmarrjen e tyre në strukturën etnike të ktyre komunave, qeveritë e Serbisë, një pas një, po refuzojnë këto kërkesa legjitime pavarësisht se kanë marrë obligime me marrëveshje të nënshkruara. Nga ana e vet, Bashkësia ndërkombëtare, e cila ishte kumbarë e tri marrëveshjeve të nënshkruara, asnjëherë nuk ka mbështetur mjaftueshëm e me këmbëngulësi përpjekjet e shqiptarëve për t’i realizuar ato marrëveshje. Përkrahja deklarative e tyre ka qenë e pamjaftueshme për ta bindur Beogradin, i cili mendjen e ka te “Bota serbe”, t’i plotësojë obligimet ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Kamberi në Facebook, përcjell teve1.info
Ai ka thënë se përkëdhelja e regjimeve autoritare, për t’i kthyer në aleat është shkak i dështimit të politikave të jashtme të bashkësisë ndërkombëtare.
“Prandaj, përkëdhelja e politikave dhe regjimeve autokrate, me qëllim për t’i kthyer në aleat, edhe kur përfshihen në politika destabilizuese, është shkak i dështimit të politikave të jashtme të bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Kamberi.
Në Luginën e Preshevës e banuar me shumicë shqiptare, Serbia ka nisur që një kohë masivizimin e adresave. Kjo nga politikanë shqiptar atje është parë si presion i Serbisë për largimin e shqiptarëve nga ajo zonë./teve1.info/