Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 26 shtatorin 2023, si datë për fillimin e rigjykimit në rastin e vrasjes së Rr.U në lokalin “Bon Vivant” më 2014, ku të akuzuar janë Sherif Krasniqi dhe Masar Gërdovci, të cilët më 13 janar 2023 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me 25 vite burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 janar 2023, kishte shpallur aktgjykim dënues, me të cilin të akuzuarin Gërdovci e dënoi me 18 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, kurse Krasniqin me 7 vite burgim.
Ndaj këtij vendimi, ankesë kishin ushtuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, pala e dëmtuar- familja Uka, mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Naim Rudari dhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku, ankesat e të cilëve u shqyrtuan më 29 maj 2023, në Gjykatën e Apelit.
Më pas, më 13 qershor 2023 Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarve Krasniq dhe Gërdovci, meqë rast edhe kishte ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Krasniqi.
Në seancën e 4 marsit 2022, gati 7 vite prej ngritjes së aktakuzës për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, aktakuza ndaj dy të akuzuarve në këtë rast, Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, ishte ndryshuar. Sipas Prokurorisë, Masar Gërdovci është i akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U e jo Sherif Krasniqi.
Gjykata Supreme, rastin e kishte kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.
Me aktgjykimin e vitit 2019, Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasje, ndërkaq Sherif Krasniqi, ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi që ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.
Kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, gjyqtari referues Abdullah Ahmeti dhe anëtari Kreshnik Radoniqi, më 18 tetor 2019, kishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve.
Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, duke konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit. Sipas Apelit, arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse.
Pas rigjykimit i cili kishte zgjatur dhjetë muaj, gjykata e shkallës së parë sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”.
Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ky aktgjykim ishte atakuar sërish në Gjykatën e Apelit, ka qenë Prokuroria ajo që ka kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj të akuzuarve.
Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015.
Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.
Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rr.U, të merret me të pandehurit që t’i largojë nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.
Sipas aktakuzës, sapo Rr.U largohet dhe hyn në sallën e lokalit, të pandehurit ngriten nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gërdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rr.U, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve.
Në aktakuzë thuhet se, Rr.U, me t’u ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provojë nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç‘rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra, ndërron jetë në QKUK.
Ndryshe, edhe më 5 gusht 2023, ndodhi një incident në lokalin “Bon Vivant”, si pasojë e të cilit humbi jetën K.R., 39-vjeçar. Tre të dyshuarve në këtë rast Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ndërsa, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati. /BetimipërDrejtësi