Politikanë të rëndësishëm të politikës së jashtme nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të jenë më kritikë ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse,” thuhet në letrën e shkruar nga eksperti i Politikës së Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, ai i Senatit të SHBA, Bob Menendez dhe kryetarët e komitetit të punëve të jashtme Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
Gazeta prestigjioze gjermane “Tagesspiegel” shkruan se në letër i kërkohet fuqive të mëdha që të mos ndjekë një politikë në Ballkan me qendër Beogradin.
“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të mos ndjekë një politikë me qendër Beogradin në Ballkan. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale” thuhet në letër.
Në letër përmendet edhe rrëmbimi i tre policëve kosovarë para pak muajsh dhe mungesa e presionit ndaj Serbisë.
“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj forcës së sigurisë së NATO-s KFOR nënvizon ‘mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike’”, thuhet në letër.
Në letër shkruhet se për shkak të frikës së Beogradi orientohet drejt Rusisë, Perëndimi po ndjek politike të butë ndaj Serbisë.
“BE dhe SHBA po ndjekin një politikë të butë në lidhje me Serbinë, kandidate për anëtarësim në BE, nga frika se Beogradi mund të orientohet drejt Rusisë, megjithatë Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Moskës,” mbyllet letra./KP/