Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin , i cili ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin përgatitor të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Procesin e Berlinit i cili sot mbahet në Tiranë.
Hoti ka thënë se nuk asnjë takim më të rëndësishëm për Kurtin se ky i të hënës në Tiranë.
Ai ka thënë se ky veprim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës.
“Nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për Kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të Kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit. Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kurti po qëndron në Greqi ku po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kurti kishte konfirmuar muaj më parë prezencën në këtë konferencë dhe për mospjesëmarrjen në takim e ka njoftuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka thënë se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në muajin tetor në Tiranë./teve1.info/