Trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka vendosur për rrëzimin e parashtrimit të mbrojtjes së Rexhep Selimit, për paragrafët 58 dhe 64 të shënimit njoftues për dëshmitarin 04337, që pretendonte se përbëjnë informacion të ri.
Dëshmitari 04337 është dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë në këtë çështje gjyqësore, i cili është duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë seancës së të hënës, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se paragrafi 58 përbën sqarime të lidhura me informacione të mëhershme të dhëna nga dëshmitari.
‘‘Fakti që dëshmitari shton hollësi lidhur me dëshmi të dhëna më herët, nuk përbën arsye për të mos u përfshirë në deklaratën e tij dhe si rezultat paragrafi 58 mund të pranohet së bashku me pjesën tjetër të shënimit përgatitor sipas rregullit 154’’, tha ai.
Kurse, lidhur me paragrafin 64 gjykatësi Smith tha se trupi gjykues pajtohet me parashtrimin e mbrojtjes që informacioni që përfshin paragrafi 64 është i ri.
‘‘Trupi gjykues gjithashtu pranon që incidenti i përshkruar në këtë paragraf nuk është i përmendur në aktakuzë, nuk është i përmendur as në dosje paraprake të ZPS-së dhe nuk është i përmendur më herët në deklaratat e dëshmitarit 04337’’, shtoi ai.
I njëjti tha se mbi këtë bazë, trupi gjykues arrin në përfundimin se Selimi nuk është i akuzuar konkretisht lidhur me incidentin e përshkruar në paragrafin 64 dhe si rezultat, prova nuk do të pranohet për këto qëllime.
Por ai tha se nga ana tjetër ky informacion përbën provë për faktin dhe vlefshmërinë që ngrihet në aktakuzë dhe asnjë prej individëve të përmendur në paragrafin 64 nuk pretendohet që të kenë kryer krime për të cilat mund të mbajë përgjegjësi penale i akuzuari.
‘‘Mund të përbëjë prova të cilat janë të qenësishme për të përcaktuar autoritetin de jure apo de facto të z. Selimi, për rrjedhojë trupi gjykues është i përgatitur të lejojë ZPS-në ta përdor këtë provë materiale për këtë qëllim të kufizuar’’, tha gjykatësi Smith.
Sipas tij, në të njëjtën kohë kjo provë e propozuar është provë e re për të cilën mbrojta nuk ka pasur njoftim të mëhershëm dhe si rezultat ky dokument duhet që të ishte pranuar mbi bazën e rregullit 154.
‘‘Në qoftë se ZPS-ja dëshiron që ta nxjerrë këtë informacion, këtë duhet me nxjerr në mënyrë gojore nga dëshmitari, në qoftë se mbrojta e z.Selimit merr informacion përkatës lidhur me këtë çështje, mund të kryeje hetime të mëtejshme dhe mund ta ri thërras këtë dëshmitar për ta marr në pyetje lidhur me këtë çështje konkrete’’, përfundoi ai urdhrin gojor.
Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit 04337 në sesion privat.
Diskutime mes ZPS-së dhe mbrojtjes për (mos)pranimin e deklaratave të një dëshmitari
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë duke u zhvilluar diskutime në mes të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtjes së të akuzuarve për (mos) pranim të dëshmisë së dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154 të Rregullores së procedurës dhe provave.
Rregulla 154 përmban “Pranimi i deklaratave dhe transkripteve me shkrim në vend të pyetjeve të drejtpërdrejta”, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Prokurori James Pace tha se kanë njoftuar palët më 7 korrik se ata synojnë që të bëhet pranimi i dëshmisë së dëshmitarit 4746 sipas rregullit 154 dhe se nevoja ka buruar vetëm nga pozicioni i qartë i dëshmitarit në seancën përgatitore më 6 korrik.
Ai tha se në interes të drejtësisë do ishte më mirë dhe do të përdorej koha në mënyrë efikase nëse parashtrohet dëshmia e tij sipas rregullit 154.
Tutje ai tha se nuk cenohet asnjë e drejtë e mbrojtës pasi që mbrojtja i ka pasur shumë më në kohë dëshminë e dëshmitarit dhe se i njëjti do jetë i pranishëm për pyetje nga mbrojta dhe trupi gjykues.
Ai tha se kërkesa nuk është bërë në kohë të vonuar pasi kjo bëhet vetëm në mënyrë përjashtimore si dhe do të qojë në uljen e kohës.
Mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Misetic tha se kjo kërkesë është bërë me 6 muaj vonesë dhe nuk përmbush rregullin 154 dhe se sias tij, fakti se dëshmitari nuk dëshiron të thotë diçka më shumë, kjo s’do të thotë që deklarata të pranohet sipas këtij rregulli.
Po ashtu ai tha se ka shkelje pasi deklarata e tij është dhënë duke i thënë se është i dyshuar andaj nuk ka bazë as në ligj udhëzimet që i ka dhënë ZPS-ja.
‘‘Një i dyshuar mund të ketë motiv ta mbrojë veten andaj duhet të dëgjohet dëshmia e tij’’, tha ai.
Misetic konsideroi se nuk duhet të ketë shkurtim të kohës gjyqësore në nivelin e këtij rangu të dëshmitarit pasi sipas tij, dëshmitarët e tillë duhet patjetër të japin dëshmi të drejtpërdrejtë.
Ai tha se ZPS është duke kaluar barrën tek mbrojtja për sqarime dhe paqartësi të dëshmisë së dëshmitarit dhe për atë se çka ai ka dashur të thotë, andaj edhe e ka quajtur cenuese për mbrojtjen.
Më tej, mbrojtësi i Veselit, avokati Andrew Strong ka thënë se në materialin 300 faqesh, dëshmitari ballafaqohet me deklarata kontradiktore dhe jo të qarta dhe kjo është një punë që duhet bërë nga kundra-pyetjet, por duhet të mbështeten nga rrethanat e pyetjeve të ZPS-së.
Ai tha se do kërkojnë kohë për riorganizim pasi që dëshmitari është intervistuar si i dyshuar.
‘‘Taktikat janë të tilla që shërbejnë për të quar në përfundime të ndryshme, ka aspekte që nuk duhet lejohet të qohet në pranim të dëshmisë të tij sipas këtij rregulli’’, tha ai.
Kurse, mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts ka thënë se intervista me këtë dëshmitar është zhvilluar para 4 viteve dhe se ZPS është dashur ta bëjë këtë kërkesë para shumë kohës.
Duke qenë se ZPS ka pritur vetëm 3-4 ditë përpara, ai tha se kjo nuk duket aksidentale por bën që të detyrojë trupin gjykues ta pranojë këtë dëshmi me kërkesë të tyre.
Vet fakti se kërkesa duhet të paraqitet më herët rreth 5 muaj, avokati Roberts tha se duhet kohë e përshtatshme për shqyrtim dhe se kjo nuk është mënyra se si duhet të procedohet më tej.
Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Aidan Ellis tha se parashtrimi është bërë shumë me vonesë dhe se përderisa janë përgatitur me muaj që dëshmia e dëshmitarit të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, e gjitha puna e tyre ka shkuar dëm.
Ai tha se kjo gjë e bërë në momentin e fundit është paragjykuese dhe cenuese dhe se tha se këto nuk janë dëshmi që pranohen sipas rregullit 154 për shkak të rëndësisë së tyre.
‘‘Dëshmitari është në nivel të komandantit të zonës dhe është ndër të paktët dëshmitar të këtij niveli, është përmendur mbi 30 herë në dosjen paraprake dhe dëshmitari është marr në pyetje si i dyshuar dhe natyra e intervistës në fjalë kërkon që të merret dëshmia e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë’’, tha tutje ai.
Më tej edhe prokurori Pace kundërshtoi këto parashtrime duke thënë se dëshmitari vetëm ka konfirmuar saktësinë e deklarimeve të tij të mëparshme dhe se interesi i drejtësisë ka të bëjë me efikasitetin e procedurës, që të mos të përsëris në mënyrë identike informacionet që i ka dhënë më herët.
Ai konsideroi se pranimi i 300 faqeve material është shumë më e lehtë për mbrojtjen dhe se për çdo gjë ata kanë të drejtë të bëjnë pyetje për sqarim të paqartësive.
‘‘Mbrojtja i ka pasur për vite këto materiale, dhe nëse bëhet shtyrja duhet të bëhet pasi të pranohet materiali si provë’’, tha ai.
Lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendosim sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër gojor lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për paraqitjen e informacioneve lidhur me paraqitjen e 4 dëshmitarëve rezervë për muajin korrik e që trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e ka gjithë informacionin për 12 dëshmitarët, kurse për dëshmitarët rezervë nuk sheh se duhet të jepen informacione më të detajuara për ta.
Ai po ashtu dha urdhrin tjetër gojor lidhur me dorëzimin e faqes së fundit të një dokumenti nga ana e mbrojtjes së Thaçit ku tha se dokumenti është dokument i pranuar si i tërë.
Ndryshe, seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit 04337 të cilit iu paraqiten disa dokumente (jo për publikun), e që konfirmoi në disa raste nënshkrimet e tij e në disa raste se kishte dhënë dëshmi për çështje të caktuara gjyqësore.
Si dhe, dëshmitari konfirmoi se kishte pasur takime me ZPS-në dhe se iu kishte dhënë mundësia për sqarime dhe korrigjime të dëshmive të mëparshme duke shtuar se ato pasqyrojnë informacione të sakta dhe të plota.
Seanca është duke vazhduar në sesion privat për disa pyetje të ZPS-së për këtë dëshmitarë.
Në një pjesë të seancës, dëshmitari është larguar nga salla pasi që mbrojtja e Selimit ka kundërshtuar dy paragrafë të shënimit njoftues të ZPS-së, duke thënë se janë informacione të reja që shkojnë përtej sqarimeve të deklaratave të mëparshme e të cilat akuzojnë të akuzuarin Selimi.
Kjo është kundërshtuar nga prokurori Pace i cili tha tha se informacioni në paragrafin 58 rrjedh nga dy fragmente nga deklarata të mëparshme të pranuara kurse, informacioni në paragrafin 64 pavarësisht se nuk është diçka që është pjesë e dosjes paraprake dhe aktakuzës është informacion i vullnetshëm nga dëshmitari.
Ndërkaq, avokati Roberts tha se është informacion i vonuar i cili është dashur të nxjerrët më herët nga dëshmitari si dhe sipas tij prokuroria po mundohet të shtojë informacione përmes njoftimeve përgatitore.
Një gjë të tillë e kundërshtoi ZPS-ja kurse lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendos gjatë pushimit të kafes.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.