Një pjesë e Graçanicës si dhe zona në drejtim të Llapnasellës, Preoci, Zona Industriale kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm pas një defekti që ka ndodhur në linjën AC DN 150 tip D, ka njoftuar Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Sipas kompanisë pozicioni i vështirë i punës ka ndikuar në vështirësi të sanimit të problemit edhe pse punëtorët janë duke punuar nga orët e mëngjesit.
“Ju njoftojmë për një defekt të ndodhur në linjën AC DN 150 tip D, me ç’rast pa furnizim me ujë të pijshëm janë një pjesë e Graçanicës si dhe zona në drejtim të Llapnasellës, Preoci, Zona Industriale. Për shkak të pozicionit të vështirë të punës, ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar që nga orët e hershme të mëngjesit, mirëpo afërsia me lumin Graçanka si dhe By-passimet e linjave në të kaluarën kanë shkaktuar edhe më shumë vështirësi në sanimin e problemit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Sipas kompanisë, furnizimi me ujë të pijshëm pritet të rikthehet në orën 21:00./teve1.info/