Që nga fundi i muajit mars, Banka Qendrore e Kosovës është duke u udhëhequr nga një ushtrues detyre.
Tashmë, anëtarët aktualë në Bordin e këtij institucioni kanë humbur legjitimitetin, derisa asnjë vendim nuk mund të merret nga këta të fundit meqë nuk ka kuorum.
Derisa për të dytën herë brenda pak muajsh u hap konkursi për guvernatorë në BQK. Ky proces u kthye në pikën zero pas dështimit të përzgjedhjes së këtij të fundit nga Kuvendi i Kosovës.
E deputeti opozitar, Ferat Shala këtë situatë po e cilëson të ndërlikuar, derisa thekson se ka shkelje të ligjit.
“Kemi një shkelje të ligjit, parimit të rregullave që të kthehet procesi në pikën zero pa vendim të kryetarit të kuvendit, pra kuvendit të Kosovës, me këtë rast edhe fillimi i procesit të guvernatorit është jo legjitim sepse nuk ka vendim nga kuvendi, ne kemi një situatë të ndërlikuar tashmë kompania angleze ka hequr dorë nga procesi i mbështetjes, këshillimit dhe zgjedhjes së guvernatorit për faktin se ka parregullsi dhe paligjshmëri në këtë proces dhe sot procesi po vazhdon nga mazhoranca pa pëlqim dhe pa bazë ligjore dhe pa mbështetjen e kompanisë angleze këshilluese”, tha Shala.
E zvarritja e këtij procesi sipas Odës së Afarizmit bënë që vendi të mos duket mirë në nivelin ndërkombëtar.
“Në situata të tilla kur jemi me ushtrues detyre ne nuk dukemi mirë në nivelin ndërkombëtarë, mirëpo sa I përket funksionalitetit është duke funksionu ashtu siç po funksionon, por kanë mbetë një pjesë e politikave e posaqërisht do të jetë e rëndësishme të shohim se si do të shkojnë me çfarë hapa do shkojmë tutje sa i përket digjitalizimit, tregtisë online ka një numër hapash të cilat duhet të i kalojmë që të jemi në rregull me tregun e Evropës”, deklaroi Zana Beqiri nga Oda e Afarizmit.
E sipas ekspertëve të fushës, kjo situatë e krijuar nuk pritet të ndikojë në ekonominë e vendit.
“Kur flasim për këtë institucion në të cilin është më vitali në të bërin e ekonomisë siç është guvernatori i bankës ende nuk ka diçka konkrete e cila do të ndikojë, vlerësoj që edhe tek sektori privat por njëherit edhe te politikat financiare, politike në vend”, bëri të ditur ekonomisti, Mustafë Kadriaj.
Lidhur me këtë, javë më parë kishte reaguar shoqëria civile në vend të cilët u shprehën të shqetësuar me prolongimin e emërimit të guvernatorit të ri në BQK.
Kronika e realizuar nga gazetarja Lendrina Kodrolli