Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka thënë se në këtë komunë nuk ka punësime partiake ashtu siç po pretendon opozita atje.
Ai tha se deklarimet e tilla nuk e pasqyrojnë realitetin dhe nuk janë të vërteta.
“Nuk janë militantë partiakë, por janë qytetarë të cilët i kanë plotësuar kriteret dhe kushtet për të themeluar kontratat e tilla të cilat janë të domosdoshme për të ofruar shërbime administrative …Ju e dini që gjatë kësaj kohë jemi munduar që administrate në komunë e cila është themelor kaherë të sjellë një përformacë pak më të mirë sesa ka qenë…Prandaj nuk e vlerësoj një qëndrim të tillë, pasi është tendencioz dhe nuk e pasqyron realitetin. Megjithatë janë qytetarët ata të cilët për çdo ditë na vlerësojnë edhe për punën e punëtorëve në administratë, edhe për punën e projekteve, kualitetin e tyre dhe dinamikën e punës në secilin segment”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.
Kastrati tha se përzgjedhja është bërë më anë të procedurave dhe mund të vërtetohet.
“Do të dëshiroja që të kishte informata më tepër, pasi kontrata mbi vepër tashmë nuk themelohen më ligjin e ri, por përmes shërbimit të prokurimit ne marrim shërbime konsulente. Të gjithë këta që përmendën kanë ardhur përmes procedurave… Ju e dini që pa i përmbushur kushtet nuk mund të themelohet kontrate. Kjo gjë është shumë e qartë edhe mund të argumentohet, të vërtetohet, të specifikohet dhe në fund të merret qëndrimi real”, tha ai.
Ai në fund tha se me opozitën kanë bashkëpunim dhe nuk përdorin fjalor jo të duhur.