Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë në fazën e hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe u shpreh se do të pasohet edhe me planin e menaxhimit të përmbytjeve.
Ai më këtë rast i ka shprehur ngushëllime edhe familjes Ademaj për humbjen e dy familjarëve të tyre nga vërshimet që ndodhën ditë më parë në Pejë.
“Të shtunën e kaluar, dy qytetarë të Republikës humbën jetën tragjikisht nga vërshimet që kapluan qytetin e Pejës. Lajmi i kobshëm jehon edhe sot. Dhimbja për ta është po aq e madhe sa edhe para pesë ditëve. Andaj edhe një herë, nga kjo sallë, në emër të gjithë kabinetit qeveritar, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Mirsada Hoxhiq Ademaj dhe djalit të saj pesë vjeçar, Dionit.
Vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Atë ditë brenda vetëm diç më shumë se 1 ore, ranë gati 55 milimetra shi. Sasi kjo krejt e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të paprecedentë dhe të drejtpërdrejtë për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave, zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të biodiversitetit”.
Ai tha se në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç.
“Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Në krahasim me nivelet e zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1.2 °C. Për çdo gradë ngrohje, atmosfera mund të mbajë rreth 7% më shumë lagështi. Kjo ndikon në sasinë e reshjeve, duke sjellë reshje të shumta në forma të shkurtra dhe të dendura që shkaktojnë përmbytje të shpejta. Një përmbytje e tipit 100-vjeçar apo e llojit që mund të përsëritet çdo 100 vjet, pra që e ka gjasën 1% në vit, mund të shkaktojë dëme të barasvlershme me 3% të bruto produktit vendor. Në mesatare, rreth 10 mijë persona preken nga përmbytjet në Kosovë. Në rast të rritjes së frekuencës dhe intensitetit të përmbytjeve si rezultat i ndryshimeve klimatike, një këso përmbytje e tipit 100-vjeçar në të ardhmen mund të shkaktojë dëme nga 300 deri në 700 milionë euro. Në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane, kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta”.
Tutje, Kurti tha se rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre.
“Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e që do pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve gjatë projektimit të infrastrukturës. Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejtë në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1.3 miliardë euro në infrastrukturë për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Vitin e kaluar, për herë të parë një delegacion i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike COP27. Hap ky i rëndësishëm i përfshirjes së Kosovës në diskutime për një çështje me interes global e me ndikim lokal”, ka thënë ai.