Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka filluar interpelancën për të raportuar ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Tahiri deklaroi që ekonomia e Kosovës ka rënien më të ulët në historinë e vet, derisa shtoi që me dinamikën e tanishme, këtë vit mund të pritet që vendi dhe ekonomia të bie në një kolapsim apo dështim të plotë.
Lidhur me këtë, Murati tha se buxheti si tërësi ka 500 milionë euro më tepër për çdo vit, prandaj shtoi se është e pa vërtetë të thuhet se ka pasur 500 milionë euro më pak, shkruan teve1.info.
“Në vitin e kaluar rritja ekonomike është 3.5 përqind reale, për vitin paraprak është 10.7 përqind. Sa i përket investimeve kapitale normalisht që paguhen të gjitha faturat për punët që janë kryer. Për projekte të cilat kanë pasur problem dhe s’kanë arritur të kryhen punët, nuk mund të paguajmë fatura për punët që s’janë kryer. Shpenzimet për dy vitet e kaluara kanë qenë te shifra 420 milionë euro, konsideroj që ka qenë brenda normës së rajonit. Në vitin 2019 para pandemisë, total pagesat kanë qenë 2.1 miliardë euro, ndërsa në vitin 2022 total pagesat kanë qenë 2.6 miliardë euro, pra janë 500 milionë euro më tepër, është e pavërtetë të thuhet që ka pasur 500 milionë euro më pak. Buxheti si tërësi ka 500 milionë euro më tepër për çdo vit”, deklaroi Murati para deputetëve në Kuvend.
Njëherit, Murati tha se është e pa vërtetë që ka humbje të vendeve të punës.
“Përkundrazi ka shtim prej 9 mijë nëse e krahasojmë si kontribues në tre mujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me tre mujorin e katërt të vitit 2022”, shtoi tutje Murati.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së inflacionit dhe çmimeve të rritura, Murati theksoi që Qeveria Kurti ka ndërmarrë masa për të mbështetur të gjithë prodhuesit vendorë, teksa tha se ka 5.5 përqind rënie të inflacionit në raport me vitin e kaluar.
“U tha edhe çështja e inflacionit apo çmimeve të rritura. Ne kemi marrë masa për të mbështetur prodhuesit vendor. Ne si qeveri e kemi sjellë në Kuvend ligjin për çmimet tavan, mirëpo ja që nga partitë opozitare është dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe tani mbahet i bllokuar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin maj, niveli i inflacionit është 5.5 përqind, pra 5.5 përqind kemi rënie të theksuar në raport me vitin e kaluar”, deklaroi më tej Murati.
Kujtojmë që në seancën e sotme të Kuvendit, interpelanca është ftuar për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”./teve1.info/.