Ka vazhduar protesta e serbëve të hënën në komunën e Zveçanit, në javën e tretë të saj, raporton teve1.info
Gazetarja Fetije Kamberi që po raporton nga kjo komunë, ka deklaruar se situata aktualisht është e qetë, megjithëse ka protestues që po qëndrojnë në tendat e vendosura nga protestuesit serbë në këtë qytet.
Javën që shkoi, protestuesit serbë i kishin sulmuar gazetarët dhe kameramanët e medieve në Kosovë, të cilat po përcillnin protestat nga afër.
Paraprakisht, protestues të caktuar kishin djegur dhe thyer shumicën e veturave që po përcillnin ekipet e medieve në komunat veriore.
Po ashtu, këta protestues ishin konfrontuar edhe me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke i lënduar kështu dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë.
Lidhur me këto sulme, deri më tani janë arrestuar disa serbë.
Megjithatë, tash e pesë ditë nuk ka informata rreth vendndodhjes dhe gjendjes së tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët u kidnapuan në Leposaviq.
Ata ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar brenda territorit të Kosovës, kur ishin kidnapuar nga pjesëtarë, deri tash të panjohur.
Kidnapuesit i kishin fotografuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës të shtrirë në tokë dhe të ç’armatosur, derisa të njëjtëve ua kishin publikuar edhe emrat nëpër rrjete sociale.
Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti.