Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se arrestimet e tre qytetarëve të Kosovës në kufi me Serbinë, në Merdarë, janë hakmarrëse dhe të ndërlidhura me situatën në veri, raporton teve1.info
Përmes një statusi në Facebook, Bulliqi ka thënë se përveç caktimit të masës së paraburgimit prej 48 orëve, nuk ka informata tjera nga arrestimi i tre qytetarëve.
Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të marrin masa për lirimin e tyre.
“Me shqetësim mora lajmin që tre qytetarë të Komunës së Podujevës janë arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar.
Sipas informatave që kemi pranuar atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit.
Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e tre bashkëqytetarëve tanë është e papranueshme dhe kërkoj nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht për rastin e tyre, duke punuar me instancat kompetente për lirimin e tyre”, thuhet në reagimin e Bulliqit.