Janë demoluar veturat e dy mediumeve gjatë natës në Zveçan.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook ka njoftuar se vetura e KOHËS që ka raportuar dje nga Zveçani është gjetur tërësisht e demoluar në mëngjesit e sotëm, teksa edhe vetura e T7 është gjetur në gjendjen e njëjtë, raporton teve1.info
Veturat kanë qenë të mbuluara me simbole nacionaliste serbe, goma të shpërthyera e xhama të thyer.
“Në fotografitë dhe videon e publikuar nga mediumi, shihen xhamat e thyer, gomat e shpërthyera, simbole nacionaliste të shënuara në veturë, si dhe pasqyret i mungojnë. Në të njëjtën gjendje, është gjetur edhe vetura e mediumit T7, e mbuluar me simbole nacionaliste serbe, xhama të thyer, e goma të shpërthyera”, thuhet në njoftim.
AGK-ja u ka bërë thirrje gazetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit në veri të vendit, teksa u ka bërë thirrje edhe organeve kompetente që të ofrojnë siguri për gazetarët gjatë raportimit.
Ndryshe, dje ka pasur sulme ndaj mediumeve të tjera, ku edhe vetura e televizonit Tëvë1, filimisht është dëmtuar e pastaj edhe është djegur nga protestuesit serb në Zubin Potok.