Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas dëmtimit të veturave të RTV Dukagjinit dhe KALLXO nga protestuesit serb në Leposaviq.
Në njoftim thuhet se AGK-ja dënon këto akte, teksa ka bërë edhe thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare që të mundësojnë raportim të sigurtë të ekipeve mediale, raporton teve1.info
“Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e “Republika e Kosovës” në targa. AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale”, thuhet në njoftim.
Tutje, AGK-ja ka ftuar gazetarët për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.
E në Zveçan është sulmuar edhe vetura e Top Channel-it, ku janë vjedhur targat e veturës, ku me atë veturë po udhtonin katër gazetarë të mediave të ndryshme.
Në njoftim thuhet se kjo është bërë me qëllim që të mos mund ta ngasin më tej veturën.