Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është arrestuar jashtë Gjykatës së Lartë në kryeqytetin Islamabad.
Thuhet se Khan është paraqitur në gjykatë në Islamabad me akuza për korrupsion.
Në fletën e akuzës thuhet se Khan “akuzohet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit dhe praktikave korruptive sipas nenit 9(a) të Urdhëresës Kombëtare të Përgjegjshmërisë”.
Pamjet në internet tregojnë Khan duke u futur në një automjet të blinduar nga forcat e sigurisë, raporton CNN, transmeton teve1.info
Zyrtarët nga partia Tehreek-e-Insaf e zotit Khan thanë se ai është në paraburgim të forcave të sigurisë, duke shtuar se ata janë ankuar në Gjykatën e Lartë të Islamabadit, e cila tani ka kërkuar një raport policor për ndalimin.
Ai u rrëzua nga posti i kryeministrit në prill të vitit të kaluar dhe që atëherë ka bërë fushatë për zgjedhje të parakohshme.
Dhjetëra raste janë ngritur kundër Khanit që kur ai u rrëzua nga pushteti. Forcat e sigurisë janë përpjekur të arrestojnë atë në disa raste të mëparshme në rezidencës e tij në Lahore, por u bllokuan nga mbështetësit e tij.
Nëntorin e kaluar ai i mbijetoi një sulmi me armë në një kolonë derisa po zhvillonte një marshim proteste.