Zyra e Unionit Evropian në Kosovë, të enjten përmes një ceremonie ndau çmimin, evropiani i vitit.
Ky çmim i takoi kitaristit 11-vjeçar, Ledion Halitaj.
Nga pesë personalitete të nominuara, numrin më të madh të votave nga qytetarët e mori kitaristi i ri.
Ishte vet shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ai cili dorëzoi këtë çmim.
Pasi mori çmimin Halitaj tha se do të jetë një shtytje edhe më shumë në arritjen drejt suksesit.
Ndërkaq, shefi i zyrës i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se blloku evropian nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ai promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.
“9 Maji paraqet një pikë të rëndësishme për Evropën dhe një mundësi për të gjithë evropianët. Kjo bëhet edhe me e rëndësishme pasi ne jemi të përkushtuar në mbrojtjen e paqes. BE nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, tha Szunyog.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Fokusi ynë është kthyer përsëri edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këto vite sfiduese përmbyllëm me sukses tri paketa të ndihmës për Kosovën, të cilat kapin shifrën e përgjithshme prej 200 milionë eurosh. Jam shumë krenar edhe për liberalizimin e vizave, që është një arritje e Kosovës, por posaçërisht e qytetarëve. Mendoj se mund të jemi krenarë edhe për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit”, shtoi ai.
Në këtë cermemoni para të pranishmëve foli edhe kryeparlamentari Gluak Konjufca.
Ai tha se Kosova e ka vendin në Evropë.
“Kjo lidhje e kombeve të lira është si një lloj rilindje, rilindje nga hiri për shkak të luftërave të mëdha e miliona viktimave. Kur e shikojmë tani, pas këtyre viteve, është një arritje e madhe, ku secili dëshiron që të marrë pjesë, posaçërisht kombet e Ballkanit. Evropa si familje e vlerave ka këto parime të rëndësishme që i vë qytetarët në qendër, në dimensionin e mirëqenies dhe të drejtave të njeriut. Këto mendoj se janë edhe idealet e popullit tim. Mendoj që e kemi vendin në Evropë, në këtë familje”, deklaroi Konjufca.
Prezent në këtë organizim ishin edhe figura të tjera publike.
Kronika e gazetares Valëza Sylejmani.