Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, bëri të ditur se Komisioni Qeveritar tash e 24 muaj nuk e ka mbajtur as edhe një takim me Grupin Punues për Personat e Zhdukur, shkruan teve1.info.
“Që 24 muaj kemi kërkuar të kemi një takim. Me Komisionin Qeveritar më herët kemi pasur takim çdo muaj. Unë i kam 85 vite, e që 24 muaj nuk mbahet më asnjë takim i Komisionit Qeveritar me Grupin Punues, kjo është vdekje për ne. Prandaj, ne kërkojmë sa më shpejtë që të ulemi e të bisedojmë”, theksoi Çerkini në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndërkaq, i pyetur se a beson që do të përshpejtohet gjetja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, Çerkini tha se sot e kësaj dite nuk flitet më realiteti, por vetëm politika.
“Kjo punë nuk është nisur tani, është nisur që moti, por nuk po realizohet. Nuk ka asgjë që nuk dihet apo që nuk është thënë. Asgjë tjetër mua nuk më intereson, vetëm çfarë plani kanë për realizimin e asaj çka dimë”, shtoi Çerkini.
Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel kanë miratuar deklaratën për të pagjeturit./teve1.info/.