Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Sipas njoftimit të bërë nga Specialja, seanca do të fillojë në ora 09:00.
Të hënën në Hagë u dëgjua dëshmitari i pestë kundër Pjetër Shalës.
Dëshmitari që mban numrin 10, gjatë ditës së hënë ka folur për shtabin e logjistikës në Kukës, derisa ka pretenduar se Pjetër Shala ‘hynte e dilte pa pyetur askënd’.
Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i janë bërë disa pyetje në seancë private për të vazhduar pastaj të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme (e martë) dëshmitari me numër 11, ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.
Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Mappie Veldt-Foglia tha se personat e ndaluar që mbërrinin në shtabin e Kukësit dërgoheshin aty nga komandantët e ‘‘mëdhenjë’’.
Ai tha se ata vinin me vetura dhe se i njëjti në hyrje të ndërtesës nuk mund ta dinte nëse ata ishin të dyshuar, por se këtë e kuptonte më vonë, kjo pasi që pas marrjes në pyetje sipas tij, disa i lëshonin dhe disa i mobilizonin në ushtri.
Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.