Udhëtime në Londër, pushim në hotel ‘Dukagjini’, ndalja e subvencioneve për Covid-19”, zgjedhja e 17 nGa 18 drejtoritë, vizita në Tiranë, shtrenjtimi çmimit të taxi-ve, vizita në Prizren, vetëm një seancë e rregullt prej marrjes së detyrës, heqja e pengesave te rrethrrotullimi në Arbëri, largimi i parkut të lodrave dhe shkollat pa ngrohje, janë këto punët që sipas grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje Qendra Prishtinë ka “kryer” kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë një muaji qeverisje.
Të gjitha këto grupi i vendosi në një pankartë që titullohej “Punët e kryera për 100 ditë” e që u vendos mëngjesin e kësaj të enjte para objektit të Komunës së Prishtinës.
Këshilltarja komunale, Triera Kasumi-Berisha, në konferencën për medie tha se Rama përveçse ende nuk e ka kompletuar kabinetin e tij, ai ende nuk ka emëruar aksionarët e ndërmarrjeve publike.
“Sot janë bërë 100 ditë që kryetari ka bërë betimin dhe ka filluar mandatin, sot kisha dashur që këtu të shikojmë një projekt apo pune të realizuar, por ai nuk ka kryer asnjë punë dhe as nuk ka përfunduar ndonjë punë. Krejt ai që ka bërë shihet në pankartën. Jemi dëshmitarë të premtimeve megalomane të Ramës, një program me shumë platforme e përjetime, e këto premtime janë hiç më pak se 206, pra më së shumti që ka bërë ndonjëherë ndonjë kandidat. Rama për 100 ditë përveç qe akoma nuk e ka kompletuar kabinetin e tij ai ende nuk ka emëruar aksionarët e ndërmarrjeve publike”, tha ajo.
E shefi i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla tha se edhe ato pak pritshmëri që kishin tani nuk ekzistojnë. Ai ka thënë se është dëshpëruese që për 100 ditë nuk ka asnjë projekt, për çka shtoi edhe se me sy mbyllur nuk zgjidhen problemet e qytetarëve të Prishtinës.
“Pritshmëritë tona kanë qenë minimale por tani pas këtij 100 ditësh nuk ekzistojnë më. Gati çdo ditë e çdo rrugë e kryeqytetit ka ankesa e protesta të qytetarëve. Është dëshpëruese që për 100 ditë nuk ka asnjë projekt gjatë kësaj kohe ka marrë 62 vendime ku gjysma prej kanë të bëjnë me emërime në drejtori dhe kabinet, 18 vendime për komisione të ndryshme[…]Rama dhe subjekti i tij është në koalicion me PDK-në, Uran Ismaili edhe zotëri Ismaili ka bërë 100 premtime që do t’i realizojë për 100 ditë por edhe rezultati i tij është i njëjtë. Fjalët boshe si ‘Prishtina e përjetimeve’ nuk ndihmojnë në zgjedhjen e këtyre problemeve. Meditimi mbase mund ta ndihmojë kryetarin, por duke mbyllur sytë nuk zgjidhen problemet e qytetarëve të Prishtinës. Prishtina nuk përparon me Përparimin” tha ai.
Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, është betuar para asamblistëve të Kuvendit të Prishtinës më 7 dhjetor 2021. Detyra iu dorëzua nga ish-kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti.
Kujtojmë që Rama fitoi zgjedhjet në Prishtinë në rundin e dytë, atë të balotazhit, duke e përmbysur rezultatin nga rundi i parë kur doli i dyti pas Arben Vitisë së Vetëvendosjes.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbajtën me 14 nëntor 2021./KSP/