Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.
E pikërisht në këtë ditë, kryekuvendari, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Mejë të Gjakovës.
Në një prononcim të shkurtër para medieve, Konjufca deklaroi se nuk do ndalen asnjëherë së kërkuari drejtësi për të gjithë ata që u vranë mizorisht nga shteti i Serbisë.
“Ne vazhdimisht i bëjmë thirrje drejtësisë vendore por edhe ndërkombëtare që ta kryejnë punën e tyre. Dëshmitarët janë, dëshmitarët ekzistojnë, të mbijetuarit kanë parë gjithçka që ka ndodhur në këtë masakër, por deri më tash ka pasur fare pak interesim prej mekanizmave tonë shtetërorë të drejtësisë edhe të atyre ndërkombëtarë ta zbardhin këtë çështje. Që 24 vite familjarët po jetojnë më tmerrin e ankthit nga mëngjesi deri në mbrëmje, për çdo ditë që 24 vite, duke mos e ditur fatin e më të dashurve të tyre. Shumë prej kriminelëve edhe sot e kësaj dite enden të lirë në Serbi. Ne do t’i kujtojmë e nderojmë gjithmonë ata që u vranë mizorisht nga Serbia dhe kurrë nuk do të lodhemi së kërkuari drejtësi, që drejtësia në fund të vijë”, potencoi Konjufca, shkruan teve1.info.
Andaj, Konjufca vlerësoi se e vetmja gjë që ka munguar deri më tani në Kosovë, është drejtësia.
“Jemi këtu për ta përkujtuar masakrën e Mejës, ku 377 shqiptarë janë ekzekutuar mizorisht nga forcat e ushtrisë e policisë të Serbisë. Së pari duhet të flasim për atë që e ka bërë këtë masakër, përgjegjësia është në shtetin e Serbisë. Andaj, ne gjithmonë duhet ta specifikojmë që përgjegjësi dihet, por ajo çka ka munguar e vetmja gjë, është drejtësia që ende nuk ka ardhur në vendin tonë”, theksoi Konjufca tutje.
Kryetari i Kuvendit, ritheksoi edhe njëherë faktin që në mesin e shumë të vrarëve, 36 prej tyre kanë qenë të moshës jo madhore.
“Gjithmonë duhet ta kujtojmë që ky është një krim i shumëfishtë. Për shkak se jo vetëm që është planifikuar, por është ekzekutuar nga ana e Serbisë, por shumë prej të vrarëve janë rrëmbyer dhe trupat e tyre janë zhdukur. Përveç kësaj, duhet ta dimë që 36 persona jo madhor, janë ekzekutuar në këtë masakër. E për këtë deri tash, askush nuk ka dhënë përgjegjësi serioze”, tha Konjufca në Mejë Gjakovës.
“Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën, lavdi dëshmorëve të kombit”, përfundoi Konjufca./teve1.info/.