Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor.
Këto deklarata ai i bëri gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve në Kosovë.
Kurti tha se që Kosova të jetë një shtet ku promovohet shumëgjuhësia, studentëve duhet t’iu ofrohet mundësia që të mësojnë gjuhën turke në komunat multietnike.
“Kryeministri Kurti tha se komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Ai shtoi se, që Kosova të jetë një shtet, ku promovohet shumëgjuhësia, do t’iu ofrojmë mundësi studentëve, që të mësojnë gjuhën e mjedisit, siç është turqishtja për shqiptarët në komunat multietnike dhe kësisoj edhe si individë dhe si shtet, do të përfitojmë avantazhe në tregun ndërkombëtar. Me pakon shtesë prej 3 milionë eurove për komunitetet joshumicë në Kosovë, që pritet të miratohet së shpejti, do të ketë masa mbështetëse për vende të reja pune për bizneset ekzistuese dhe ato të reja, për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale dhe për shoqërinë civile, që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit, kryeministri ka theksuar se strategjia e arsimit për vitet 2022-2023 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke
“Strategjia jonë e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencionet e vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve e materialeve e mësimore në gjuhën turke. Po ashtu, planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe për komunitetet që kanë gjuhë të tjera, si turqishten për shembull gjuhë amtare.E përbashkëta jonë është vendi ynë, andaj do të jemi bashkë në secilin hap për progresin e gjithmbarshëm” u shpreh kryeministrit”, thuhet në njoftim.
Në këtë tryezë, të pranishëm ishin, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherësh kryetar i KDTP-së, zëvendësambasadorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın, përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile e të mediave nga komuniteti turk, përfaqësues të komunitetit turk në Këshillin Konsultativ për Komunitete, si dhe nëpunës të këtij komuniteti në institucionet e Kosovës./teve1.info./