Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se vrasja e ish-kryetarit të Klinës dhe anëtarit të kësaj partie 22-vjet më parë ishte vrasje e vet demokracisë.
Ai ka thënë se 22 –vjet më parë familja Rraci humbi më të dashurin e tyre, kurse LDK një veprimtar të shquar.
“Vrasja e tij ishte vrasje e vet demokracisë. Ishte vrasje e një patrioti model, një kontribuuesi të jashtëzakonshëm, e një atdhetari të çmuar. 22 vjet më parë familja Rraci humbi më të dashurin e tyre, ndërsa LDK humbi veprimtarin e orëve të rënda e Kosova atdhetarin e shquar që vendit i dha gjithçka, dhe jetën e tij. Drejtësia duhet të zbardhë dhe të gjykojë rastin e vrasjes së Ismet Rracit dhe të gjitha vrasjet tjera”, ka thënë Abdixhiku pas bashkë me zyrtarë të LDK-së kanë bërë homazhe në 22 vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit.
Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë. Pas përfundimit të luftës, Ismet Rraci ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës. Gjatë kthimit të përditshëm në banesën e tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001./teve1.info/







