Asdren Shala nga Partia Socialdemokrate, ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore e cila sot ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ai madje tha se për partinë e tij rasti i Krasniqit ishtë i pritshëm, teksa theksoi se PSD i beson drejtësisë për dallim nga Qeveria e cila sipas tij, i beson drejtësisë në baza selektive dhe vetëm kur atyre iu leverdisë.
“Për ne si PSD është e pritshme, asgjë nuk është e re, i ka ardhë momenti dhe ka dalë. Prokuroria ka vepru shumë mirë, paraburgimi i tij është për bindjen tonë i duhur, fundi fundit kjo është drejtësia dhe ne i besojmë, për dallim nga Qeveria që i beson drejtësisë në baza selektive sa herë i leverdisë partisë, drejtësia funksionon, kur nuk ju leverdisë ka kërkesa absurde për me linçu komplet sistemin e Drejtësisë këto pastaj janë të papranueshme”, tha ai.
Kurse sa i përket deklaratave të sotme të kryeministrit Kurti në Kuvend për rastin në fjalë, Shala tha se fjalimi ka qenë skandaloz dhe i frikshëm, pasi sipas tij, pushteti po tenton ti shpallë luftë shtetit.
“Kryeministri tashmë për fat të keq të vendit dita ditës po tingëllon çdo herë e më shumë banal dhe i gërditshëm. Unë e dëgjova sot fjalimin në parlament dhe për mu është një nga fjalimet më skandaloze dhe më të frikshme. Skandaloz është fakti qysh i pari i shtetit e mbron një hajn në potencë, pra një njeri të akuzum për hajni që është drejtori i KEK-ut, duke e sulmu prokurorin që po mundohet me sjellë drejtësi. Dhe është i frikshëm ky fjalim sepse kërkesa e kryeministrit për vetgjyqësi që këtë e gjykon populli është absurd i llojit të vet, dhe për mu është simptomë e frikshme, sepse mbrapa kësaj kërkese fshihet dëshira me e injoru komplet zingjirin juridik të Kosovës, komplet sistemin juridik të këtij vendi dhe me marrë drejtësinë veç një parti. Kjo praktikisht i bjen që pushteti i sotëm i ka shpallë luftë shtetit ky është alarm”, tha Shala në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndryshe sot Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Krasniqi u arrestua dje nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti sot në Kuvend ka thënë se edhe në të kaluarën ka pasur keqpërdorime në KEK, por nuk janë trajtuar nga prokuroria.
Ai tha se udhëheqësi e re e KEK-ut pas marrjes së detyrës, ka deponuar fakte dhe dëshmi për keqpërdorimet që kanë ndodhur më parë – por zelli i prokurorisë për tu marrë me çështjen ka qenë zero./teve1.info./