Vetëm 50 për qind e Qendrave për Punë Sociale (QPS) kanë qasje për personat me aftësi të kufizuar apo gjysma e këtyre qendrave nuk kanë qasje për këtë kategori. Ndërkaq, vetëm 28 për qind prej QPS-ve kanë kushte infrastrukturore të përshtatshme për ofruar shërbime sociale.
Kështu u tha në prezantimin e analizës mbi gjendjen e këtyre qendrave, ku u theksua se shumica prej tyre operojnë me një veturë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në Qendrat për Punë Sociale ka shumë sfida e boshllëqe ligjore.
Haxhiu ka shtuar se kjo gjendje nuk duhet të lejohet të vazhdohet nga niveli qendror e lokal.
“Raporti flet për shumë mungesa e boshllëqe ligjore. Unë kam pasur një përshtypje që megjithatë, gjendja në Qendrat për Punë Sociale është pak sa më e mirë. Megjithatë, raporti evidenton mungesa të shumta strukturore, organizative me të cilat ballafaqohen ofruesit e shërbimeve sociale, që janë pikërisht institucione të cilat në fokus duhet të kenë trajtimin e rasteve që ndërlidhen me parandalimin. Pra, është përgjegjësi edhe e komunave dhe Qendrave për Punë Sociale që të adresojnë qysh herët këto raste. Sigurisht që këtu nuk jemi duke zbuluar fajtorin, këtu jemi duke adresuar problemin dhe që të përpiqemi maksimalisht që ta zgjidhim atë. Kjo gjendje nuk duhet të lejohet të vazhdohet tutje, as nga ne si institucione të nivelit qendror, as nga niveli komunal”,ka thënë Haxhiu.
Se Qendrat për Punë Sociale kanë sfida ligjore, e tha edhe drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi.
Ajo theksoi se është emergjente që të bëhet ndryshimi i Ligjit për Shërbime Sociale Familjare dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal dhe atë të Prokurimit Publik.
“Shumica dërmuese e QKS-ve operojnë me vetëm një veturë, pavarësisht madhësisë së territorit, numrit të popullsisë dhe rasteve. Fatkeqësisht kemi edhe Qendra për Punë Sociale që fare nuk kanë automjet. Nëse nuk i kanë pajisjet bazë si presim që të ofrojnë shërbime, të shkojnë në familje dhe të kryejnë mandatin e tyre ligjor. Vetëm 28 për qind e qendrave janë përgjigjur që për momentin kanë kushte infrastrukturore të përshtatshme për të ofruar shërbime sociale. Mos të flasim për qasjen, për personat me aftësi të kufizuar që mbi 50 për qind të qendrave kanë deklaruar që nuk kanë qasje për personat me aftësi të kufizuar. Përderisa, është institucion social që është i thirrur për të ofruar shërbime pikërisht edhe për personat me aftësi të kufizuar”, ka shtuar ajo.
Eksperti ligjor dhe bashkë-autori i kësaj analize, Bedri Bahtiri shtoi se duhet të qartësohen kompetencat e nivelit qendror e lokal.
“Një problem që ekziston te fusha e Shërbimeve Sociale që është krucial dhe duhet të adresohet tek drafti i shërbimeve sociale, sidomos është inspektimi. Kemi monitorim dhe inspektim, është një udhëzim administrativ i cili shkarazi rregullon diçka, por thuajse nuk rregullon asgjë. Një inspektor i cili nuk ka kompetenca ekzekutive për shqiptimin edhe të kundërvajtjeve dhe përveç kundërvajtjeve edhe me kërkua edhe revokimin e licencave për gjithë ofruesit e shërbimeve sociale që bëjnë shkelje të dispozitave ligjore, ai inspektorat që jep rekomandime është problem t’i thuash edhe inspektorat”,ka vijuar ai.
Që nga janari i këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka marr përgjegjësinë për Qendrat për Punë Sociale, të cilat ishin në kompetencën e komunave dhe të Ministrisë së Financave. /kp