Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur që gjatë vitit të kaluar ka pasur një rekord sa i përket rasteve të dërguara në prokurori.
Buleshkaj ka treguar për bashkëpunimi që kjo APK ka më Prokurorin si dhe sfidat me të cilat është duke u përballur ky institucion.
Teksa ka treguar për procedurat se si bëhen hetimet për deklarimin e pasurisë, Buleshkaj ka thënë se ligji me të cilin funksionon kjo agjenci e ka të caktuar metodologjinë se kujt duhet t’i hetojë pasuria.
Ai ka thënë se në qershor bëhet verifikimin i të gjitha deklarimeve të pasurisë që janë bërë nga zyrtarët shtetëror.
“Ne menjëherë pas përfundimit të deklarimit brenda një muaji i bëjëm publike këto deklarime, pastaj e kanë një afat shtesë për 15 ditë për ndonjë lëshim teknik që mund ta kenë bërë deklaruesit për ta korrektuar atë. E pas kalimit të këtij afati ne do ti përzgjedhim ata të cilët do të bëhet verifikimi i pasurisë. Ligji na ka caktuar metodologjinë se kujt do t’i bëhet verifikimi i pasurisë dhe sa do te jetë numri i atyre që do të ju bëhet verifikimi , pra janë pozitat më të larta ju bëhet verifikimi çdo vit, janë pozitat tjera që bëhet për shembull 30 për qind e tyre po në vitet tjera, atyre që ju bëhet verifikimi vitin e parë, vitin e dytë dhe të tret nuk ju bëhet. Apo është edhe një mënyrë sipas denoncimit që e bëjmë. Po besojmë që rreth muajit qershor ne do të fillojmë verifikimin e të gjitha këtyre deklarimeve të cilët janë bërë”, tha ai.
Ai shtoi se për të verifikuar se a janë të vërteta ato që janë deklaruar nga zyrtarët shtetëror, agjencia bashkëpunon me institucionet e tjera.
Ai theksoi se kur dyshimet e tejkalojnë shumën prej 3000 eurove, APK-ja përgatit kallëzim penal i cili dorëzohet në Prokurori.
“E pastaj nëse hasen në mos përputhje nga ajo që është deklaruar me atë që e gjejmë në duke kontaktuar institucionet që mund të na informojnë, për shembull kemi Agjencinë Kadastrale të Kosovës për të hyra, e kemi përmes Thesarit, kontaktojmë me ATK-në e ka mënyra të ndryshme ku ne pranojmë informata. Gjitha këto informata që ne pranojmë pastaj krahasojmë me ato që i kanë deklaruar zyrtarët dhe në rast kur hasim ndonjë ndryshim, dallim në mesë të asaj që është deklaruar dhe asaj që e kemi gjetur ne, e ai dyshim e tejkalon shumën prej 3000 eurove, ne e përgatitim një kallëzim penal i cili dorëzohet në prokurori. Pastaj Prokuroria i kryen hapat e tyre dhe ngritjen aktakuzave ku ata e shohin që është e mundshme”, tha ai.
Buleshkaj tha se viti 2022 ishte vit rekord sa i përket dorëzimit të kallëzimeve penale, ku i kanë dorëzuar mbi 250 kallëzime penale.
E vetëm gjatë këtij viti janë 10 kallëzime penale që janë dorëzuar në prokurori.
“Nuk i kam statistikat për ata që nuk i kanë deklaruar, po për kallëzime penale të ndërlidhura me deklarim të pasurisë janë mbi 250 të cilat janë dorëzuar në vitin e kaluar, do të thotë këtë vit kemi numër të vogël sepse nuk kemi bartur raste nga viti i kaluar në këtë vit, kemi shumë pak raste, janë 19 raste që janë bartur nga viti i kaluar. Ndërsa verifikimet e reja ende nuk kanë filluar. Ndoshta janë më pak se 10 me siguri kallëzime penale të cilat janë dorëzuar, këtë vit por vitin e kaluar e kemi pasur një rekord ndër vite me 250 raste të cilat janë dërguar në prokurori”, tha ai.
Buleshkaj i pyetur se deri ku ka shkuar rasti i mos deklarimit të pasurisë nga ambasadori Martin Berishaj, ai ka thënë se agjencia e ka kryer punën e saj dhe se rasti tani është duke u trajtuar në Prokurori.
“Atë që mund ta them është që ne e kemi kryer pjesën tonë të punës. Tashmë ai rast sikur se shumë raste të tjera, janë edhe 250 raste në Prokurori, pastaj nuk kemi informata për secilin hap sepse edhe Prokuroria nuk është e obliguar të na informoj për secilin hap të hetimeve që i zhvillojnë ata. Pra mund të jetë kudo në hapat tjerë por nuk është brenda agjencisë tonë”, tha ai për EO.
Buleshkaj ka thënë se bashkëpunimi me Prokurorinë është korrekt dhe se ata kanë pasur takime konsultative kurdo që ka qenë e nevojshme.
Ai theksoi se si agjenci kanë pasur brenga se rastet e tyre nuk janë duke u trajtuar siç duhet nga Prokuroria dhe se të gjitha këto brenga i kanë sqaruara në takime të mbyllura me prokurorinë.
“Ne kemi pasur bashkëpunim korrekt, mundohemi kallëzimet penale, tona të kenë materiale të mjaftueshme në ngritje të aktakuzave. Kemi pasur edhe takime konsultative kurdo që ka qenë e nevojshme, jemi takuar qoftë edhe me Këshillin Prokurorial po ashtu edhe me prokurorin e shtetit për ti shkëmbyer ato brenga tona që i kemi pasur. Sepse ne kemi menduar nganjëherë se rastet tona nuk po trajtohen ashtu siç duhet, të gjitha brenga tona i kemi ngritur dhe i kemi sqaruara në takime të mbyllura me prokurorinë. Po besoj që bashkëpunimi jonë është korrekt, për ne është tepër e rëndësishëm bashkëpunimi i mirë me prokurorinë, sepse rastet tona nuk mund të materializohen nëse nuk ka një trajtim të duhur nga Prokuroria”, tha ai.
Drejtori Yll Buleshkaj, ka folur edhe për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar ky institucion, ku sfidë më e madhe për ta është mungesa e stafit.
“Në si institucion jemi duke u ballafaquar me sfida të ndryshme, pikë së pari nuk kemi staf të mjaftueshëm sepse nga viti i kaluar na është rritur mjaftë shumë, është mbi dyfishuar numri i subjekteve deklaruese, e mbi dyfishimi i subjekteve deklaruese nënkupton edhe mbi dyfishim të procedurave të tjera. Të gjitha këto pozita që më herët nuk i kemi konsideruar të rëndësishme nuk kanë qenë edhe në subjekt të interesit të mundshëm, apo mos përputhjes të pozitave të ndryshme që mund të ketë një zyrtarë e cila tash do të shqyrtohet secili nga to”.
“Në qoftë se vitin e kaluar kemi pasur rreth 5 mijë zyrtarë të cilët kanë qenë të detyruar ta bëjnë deklarimin e pasurisë e ky numër është i njëjtë me numrin e zyrtarëve që e bëjnë deklarimin e rregullt, por ne pas përfundimit të kësaj faze e kemi edhe fazën, tjetër të rëndësishme është ku zyrtarët të cilët për herë të parë janë të obliguar që për herë të parë ta bëjnë deklarimin e pasurisë, do të thotë duhet ta bëjnë atë. E afati i tyre është diku nga mesi i prillit deri në fillim në dhjetë ditëshin e parë të majit. Gjithë ky numër i madh me stafin e njëjtë e kemi pak probleme të menaxhojmë edhe pse deri më tani kemi arritur që të menaxhojmë ne mënyrë të kënaqshme, ne kemi bërë kërkesa qoftë për staf qoftë për financa të tjera shtesë, të cilat vitin e kaluar nuk është që na janë ofruar, po presim që këtë vit këto të na ofrohen”, u shpreh Buleshkaj.