Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë, që i paraprin trajtimi i pabarabartë që nga fëmijëria.
Ajo tha se gratë dhe vajzat janë viktima të formave të ndryshme të dhunës.
“Gratë dhe vajzat janë shpesh viktima të formave të ndryshme të dhunës, që shpeshherë disa janë edhe vështirë të identifikueshme. Forma të tjera të dhunës shumë prezente në shoqërinë tonë janë edhe ato që definohen në Konventën e Stambollit, që ndërlidhen me dhunën psikologjike, martesat e detyruara, përndjekja, dhuna seksuale përfshirë edhe përdhunimin, ngacmimin seksual, abortin apo sterilizimin e detyruar. Ashtu siç e kërkon Konventa e Stambollit, këto forma të dhunës duhet të kriminalizohen dhe të bëhet përndjekja penale e çdo personi që ushtron çfarëdo forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Republikën e Kosovës. Shpeshherë rastet e dhunës ndodhë t’u atribuohen shkaqeve të paqena, kështu duke justifikuar atë”, tha ajo në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”
Lufta ndaj dhunës, siç tha Haxhiu, kërkon përgjigje të të gjitha institucioneve e agjencive të përfshira.
Ministrja e Drejtësisë shtoi se rastet e dhunës në familje nuk po raportohen ende në masën që është e shprehur në shoqëri.
“Së fundi, kemi diskutuar me Ministrinë e Financave, me ministrin Murati, jemi në fazat fillestare të planifikimit të një koncepti që do të adresojë punësimin e viktimave të dhunës në familje. Sepse, konsiderojmë që pavarësia ekonomike është jetike, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe prandaj jemi në diskutim me Ministrinë e Financave që ta gjejmë zgjidhjen për punësimin e viktimave të dhunës në familje”, tha Haxhiu.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Poëer u shpreh se janë duke punuar nga viti 2016 në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave.
“Projekti, të cilin jemi duke lansuar sot shpresoj që do të jetë edhe një udhëzues për qeverinë dhe institucionet qeveritare, duke vendosur resurset e tyre aty ku nevojitet, duhet të bëhet edhe për akterët tjerë në fushë, posaçërisht aty ku Kosova duhet të zbatojë Konventën e Stambollit. E di që ka shumë prani të ndërkombëtarëve në Kosovë duke punuar në këtë, për shembull OSBE, UN Ëomen dhe disa organizata të tjera, dua t’i falënderojë shumë për përpjekjet e tyre”, u shpreh ai.
Konventa e Këshillit të Evropës është traktati më i përparuar ndërkombëtar, i cili trajton dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje./KP/







