Publikimi zyrtar i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, erdhi pas konstatimit të BE-së, se palët në takimin e 27 shkurtit e kanë pranuar edhe zyrtarisht këtë dokument.
18 marsi është përmendur si datë kur liderët do ta kenë takimin e radhës, por këtë herë në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën tha se beson që mbajtja e takimit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut ka një simbolikë.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka thënë Kurti.
Por, takimet që do të bëhen gjatë muajit mars janë cilësuar si të vështira për shkak se në to do të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes së derivuar nga plani franko – gjerman.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se diskutimet për zbatimin e planit do të jenë të vështira, por edhe zbatimi, sipas saj do të jetë po ashtu shumë i vështirë.
“Natyrisht janë të vështira përderisa po shohim që edhe në planin evropian përsëriten ato çështje për të cilat ka pasur probleme mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe pse ndoshta janë gjetur disa zgjidhje ose janë arritur disa marrëveshje në të kaluarën ato nuk janë zbatuar … edhe nëse arrihet ndonjë dakordim për planin e zbatimit për këtë propozim konkret e shoh pak të vështirë çështjen e zbatimit sërish, çështjen e respektimit të afateve që gjithmonë ka qenë problematik mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Haxholli.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka filluar punën për koordinimin e hapave për takimin e ardhshëm.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.