Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marrë vendim që 83 lëndë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë të barten në gjykatat tjera Themelore të Kosovës.
Lëndët në fjalë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, janë bartur në Gjykatat Themelore në Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan.
Lajmi për “Betimi për Drejtësi” është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sipas KGJK-së, në këtë bartje janë përfshirë të gjitha natyrat e rasteve gjyqësore, duke përjashtuar rastet e krimeve të luftës.
Ndërsa, në lidhje me periudhën e bartjes së lëndëve në fjalë, KGJK ka njoftuar se do të bëjë një analizë lidhur me ngarkesën e lëndëve dhe numrin e gjyqtarëve në gjykatat dhe departamentet e caktuara, ku lëndët janë bartur dhe do të veprojë sipas nevojës.
Ndryshe, pas dorëzimit të dorëheqjeve nga gjyqtarët e komunitetit serb të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kjo e fundit në bashkëpunim me KGJK-në kanë krijuar planin e përkohshëm të veprimit, pas rrethanave të krijuara.
Ky plan i përkohshëm i veprimit për vazhdimin e punës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degët e saj, përmban disa pika, dukë përfshirë edhe identifikimin e lëndëve për bartje në gjykata të tjera.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe të punësuarve të tjerë nga radhët e komunitetit serb, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga 7 nëntori 2022 e deri më tani është 144, prej tyre 25 gjyqtarë dhe 119 të punësuar të tjerë.
Kurse, sipas Raportit Statistikor të Gjykatave të Republikës së Kosovës, publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për vitin 2022, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë numri i përgjithshëm i lëndëve në punë, i lëndëve në pritje në fillimin e vitit 2022 dhe lëndëve të pranuara gjatë vitit 2022, është 17 mijë e 102 lëndë.
Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë si dhe në Divizionin e Apelit në veri të Mitrovicës, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), më 7 nëntor 2022.
Ky largim i tyre dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.